Tiranë - Një video- mesazh i titulluar "ja si aplikohet për ndihmën ekonomike" është shpërndarë sot nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Mirëqënies, Veliaj, në rrjetet sociale.  Rama shkruan në postimin e tij: "Rruga e re për ndihmën ekonomike". Në videon zanore shpjegohet se kush përfiton ndihmë ekonomike dhe çfarë risish ka sjellë, qeveria e re, si sistemi i pikëzimit, tërheqja e saj nga gratë, përfitime shtesë për ato familje që dërgojnë fëmijët në shkollë rregullisht dhe i vaksinojnë etj. Në video thuhet: Ndihma ekonomike në para është një mbështetje ekonomike, që iu jepet familjeve dhe individëve që kanë më shumë nevojë për përkrahje nga shteti. Por, kush mund ta marrë ndihmën ekonomike? Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme; Jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit; Viktimat e trafikimit; Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare; Ndihma ekonomike kërkohet pranë komunës ose bashkisë ku jetoni dhe keni gjendjen civile; Kërkesa bëhet nga data 1 deri në 10 të çdo muaji. Pas mbylljes së aplikimeve, sistemi elektronik verifikon të dhënat e dokumentacionit, kërkesën e paraqitur pranë administratorit shoqëror dhe përcakton renditjen për të qënë përfitues ose jo i ndihmës ekonomike. Pagesa e ndihmës ekonomike tërhiqet pranë sporteleve të bankave ose zyrave të postës. Cilat janë risitë e modernizimit të ndihmës ekonomike? Përfshirja sociale më e gjërë e kategorive në nevojë, identifikim më i mirë i familjeve në nevojë, përjashtim i rasteve abusive nga skema e ndihmës ekonomike, rritja e transparencës, rritja e shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike, sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike, shpërndarje e drejtë e ndihmës ekonomike, administrim i ndihmës ekonomike nga gratë, subvencion shtesë për çdo fëmijë që shkon në shkollë dhe vaksinohet rregullisht. ar.sh/Oranews.tv  

/Ora News.tv/