Lazio është padyshim skuadra më në formë në Itali.

Kryeqytetasit regjistruan fitoren e 9-të radhazi në kampionat, teksa mposhtën me përmbysje Brescia 2-1 në javën e 17-të të Seria A.

Ciro Immobile ishte heroi i takimit për bardhekaltërit me një dopietë personale. Fillimisht, autori i 19 golave në kampionat vendosi ekuilibrat në fushën e blertë, pasi më parë, Mario Balotteli kishte kaluar në avantazh vendasit.

Por, mbetja me 10 futbollistë e Brescia, pas daljes me të kuq të Cistana i dha "krahë" Lazios që me Immobile shënoi edhe në minutën e 91. Pas kësaj fitoreje, Lazio afrohet me kreun që mbahet nga Inter e Juventus. Tashmë bardhekaltërit numërojnë 39 pikë në vendin e tretë, 3 më pak se kryesuesit e Seria A.

Ndërkaq, Brescia mbetet në zonën e ftohtë të klasifikimit, pasi numëron vetëm 14 pikë në vendin e 18-të, pozicion që të dërgon një kategori më poshtë nëse kampionati do të mbyllej këtu.

/Ora News.tv/