Vetëvendosja kundër emërimeve te Inteligjenca: Pazari i ri Thaçi - Haradinaj

Vetëvendosja kundër emërimeve te Inteligjenca: Pazari i ri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka emëruar sot Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Lidhur me këto emërime ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për LVV këto emërime antikushtetuese janë  pazar i ri midis Presidentit, Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje ish-kryeministri s'mund të ushtrojë këtë kompetencën e propozimeve dhe Presidenti s'mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër.

Postimi i plotë i LVV: 

Emërimet antikushtetuese në AKI - pazar i PAN-it të vjetër

Sot u njoftuam nga mediet për pazarin e ri të Thaçit e Haradinajt në kurriz të shtetit.

Sa më shumë afrohet dita e largimit të PAN-it nga pushteti, aq më shumë po dalin në pah fijet që i mbajnë lidhur. Thaçi e mori drejtorin e AKI-së e Haradinaj e mori kryeinspektorin.

Propozimi nga Haradinaj dhe dekretimi nga Thaçi për të dy këto pozicione është përveç të tjerave dhe antikushtetues. Në dy drejtime, sepse ish-kryeministri s'mund ta ushtrojë këtë kompetencë e Presidenti s'mund të dekretojë propozime nga një ish-kryeministër.

Propozimet janë po ashtu emërime politike. I pari, ish-vartës i Hashim Thaçit në MPJ, u emërua si drejtor i AKI-së pasi që dështoi t'i mbrojë numrat e Z-mobile nga pozitat e drejtorit të bordit të ARKEP-it. I dyti u emërua kryeinspektor pasi dështoi të bëhej deputet i AAK-së, i cili mbahet mend për ankesat e tij rreth vjedhjes së votave që iu bënë nga brenda subjektit të tij. Duket se ky emërim ishte dhe rehatimi i tij.

Sigurisht që me t'u konstituuar institucionet ky vendim antikushtetues do të adresohet për këtë shkelje të rëndë e paprecedent.

Ditët e abuzimeve të PAN-it kanë mbaruar, po ashtu edhe mundësitë e tyre për ta rrënuar më tej rendin kushtetues.

EMISIONET