Veseli: Miqësinë me Shtetet e Bashkuara do ta kthej në nivelin e vitit 1999

Veseli: Miqësinë me Shtetet e Bashkuara do ta kthej në nivelin e

Me gjashtë tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme  parlamentare. Gjithsej 25 subjekte politike të të gjitha komuniteteve  janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës po  zhvillon një seri intervistash me kandidatët e subjekteve kryesore  politike për postin e kryeministrit të vendit. Në një intervistë me  korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, kryetari i Partisë  Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se lufta kundër korrupsionit  dhe forcimi i lidhjeve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian  janë garanci për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë politike dhe  sovranitetin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, në këto zgjedhje ju po  kandidoni për kryeministër të vendit. Përse do të duhej që qytetarët e  Kosovës të votojnë për ju?

Kadri Veseli: Jam i vetmi që ofroj projekt konkret,  me vendimmarrje konkrete. Projekti që ka të bëj me luftën kundër  korrupsionit dhe nepotizmit, kam marrë vendime drejtpërdrejt qysh para  se të fillonte kjo fushatë elektorale, në të njëjtën kohë projekti i  cili është ekonomik për një të ardhme më të mirë euroatlantike të  Kosovës, për një ekonomi të dijes, ekonomi të qëndrueshme, të  inovacionit, platformë konkrete programore për rininë, për pensionistët,  për fermerët, për ndërmarrësit, për të gjitha kategoritë e shoqërisë  sonë, për një projekt po ashtu të politikave sociale e aktive dhe  natyrisht për një projekt i cili Kosovën e bën më të afërt me Shtetet e  Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Një koalicion i cili është  i qytetarëve me Partinë Demokratike të Kosovës, i integrimit, dhe jo  një koalicion i cili është i konfrontimit dhe i izolimit i cili mund të  jetë një opsion tjetër alternativ.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli ju në këtë fushatë keni  përmendur shumë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, si do të  veproni e si do t’i luftoni këto dukuri?

Kadri Veseli: Unë nuk kam përmendur, por unë kam  vepruar drejtpërdrejt, konkretisht me vendimmarrje. Unë kam ndërtuar një  standard të cilin më vjen keq që partitë tjera politike nuk e kanë  përkrahur, por ai tanimë është një standard i cili i ka edhe masat  konkrete që nga byroja anti korrupsion e cila do të luftojë në mënyrë  aktive çështjet e korrupsionit dhe nepotizmit, pastaj ligji kundër  nepotizmit, pastaj komisioni parlamentar i cili do të jetë i udhëhequr  nga opozita, pikërisht cështjet të cilat kanë të bëjnë me afera  korruptive, legalizimet, do të thotë është një varg masash të cilat janë  konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, jo fjalë,  vendime konkrete, standard përmes të cilit unë mendoj t’i jap një  perspektivë ekonomisë së konkurrencës, ekonomisë së dijes, inovacionit,  prodhimit dhe punësimit të qëndrueshëm, perspektivë të rinjve dhe të  rejave tona. Nuk ka rrugë në mes, ka rrugë veprimesh konkrete, luftë pa  kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe hapje të perspektivës  për rininë dhe ekonominë e dijes për aq sa edhe një herë po e  ripërsëris, të gjitha këto të barasvlershme e kanë rëndësinë kur jemi  bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë  evropianë. Në të kundërtën, kursi i konfrontimit, koalicioni i izolimit  do ta sjell Kosovën në një situatë të rëndë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, partitë politike ju  kritikojnë juve ose Partinë Demokratike të Kosovës si përgjegjësen  kryesore për korrupsionin në Kosovë. Si ju përgjigjeni akuzave të tilla?

Kadri Veseli: Ju përgjigjem se duhet të merremi me  probleme të cilat janë aktualisht në Kosovë, me probleme të cilat janë  reale, korrupsioni, papunësia, integrimi, konfrontimi me Shtetet e  Bashkuara, me Bashkimin Evropian, një politikë e cila është e pa mençur e  disa nga oponentët e mi, konfrontimi edhe me ne Partinë Demokratike të  Kosovës. Ne duhet të jemi sa më afër njëri tjetrit, sa më bashkë, për  një koncept edhe vizion i cili është euroatlantik, për një koncept i  cili po e ripërsëris prapë, është për Kosovë pa korrupsion, standard, jo  fjalë por veprime konkrete, edhe për një Kosovë e cila është e  zhvilluar ekonomikisht. Njerëzit po duan punë, njerëzit po duan shance  të barabarta, njerëzit nuk po duan padrejtësi, njerëzit nuk po duan të  kemi konfrontim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe perëndimorët. Kjo  është tek e fundit politika ime, por ata kanë zgjedhur rrugën që të  konfrontohen me ne, unë nuk kam çka bëj. 

Zëri i Amerikës: Ju po përmendni Shtetet e  Bashkuara, a janë rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të  Amerikës, posaçërisht pas vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe?

Kadri Veseli: Nuk ka të bëj me çështjen e vendosjes  së tarifës, ka të bëj me një proces kur një kastë e caktuar politike në  Kosovë po promovon politikë në emër të një të ashtuquajturi sovranitet,  njëfarë pavarësie e cila në fakt po na kalon në izolim, po e dëmton  pikërisht sovranitetin dhe pavarësinë tonë. Ne kemi një praktikë e cila  është shumë e mirë, por koalicioni, afërsia shumë e madhe me  perëndimorët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe perëndimorët tanë  evropianë i krijon garanci Kosovës në zhvillimin ekonomik, në  stabilitetin politik, në stabilitetin edhe ruajtjen e sovranitetit, do  të thotë këto janë strategji të cilat janë të politikave të mia  kombëtare të cilat unë i promovoj edhe në të cilat duhet të shkojë  Kosova. Tash merreni me mend a është më i mirë një koalicion i cili  është për Evropën euroatlantike, shumë afër me Shtetet e Bashkuara të  Amerikës, për ekonomi të dijes e prodhimit, apo një koalicion i  konfrontimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Ku është sovraniteti i  fortë aty? Cili sovranitet? Ku është ekonomia e fortë? Nuk investohet në  një vend ku nuk ka stabilitet, ku nuk ka perspektivë të mirë për  qytetarët, ku ka konfrontim, kjo është ajo. Duhet t’i ndalim  konfrontimet brenda, duhet të orientohemi nga politikat aktive ekonomike  edhe për mua edhe për Partinë Demokratike të Kosovës ky do të jetë  standardi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerët tanë të  përjetshëm, strategjik, me të cilët do ta fuqizojmë edhe më shumë  Kosovën. Bashkimi Evropian është prioritet numër një kombëtar për tu  integruar, ekonomia, edhe deformimet cilat janë, kush do të ju shpallë  luftë këtyre? Ne duhet standard, jo fjalë në luftën kundër korrupsionit  dhe nepotizmit.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli Shtetet e Bashkuara të  Amerikës, Bashkimi Evropian, kanë kërkuar vazhdimisht largimin ose  pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe në mënyrë që të ripërtërihen  bisedimet. Çfarë do të veproni ju nëse bëheni kryeministër i vendit?

Kadri Veseli: Është pikërisht ai projekt i cili deri  më tani nuk është dëgjuar dhe kemi humbur disa muaj, 7-8 muaj, është  projekti i reciprocitetit, e kam dorëzuar, jam falënderues për qëndrimin  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çdo veprim të cilin do ta bëj do  të jetë në interes të atdheut tim, të kombit tim e aty i shoh Shtetet e  Bashkuara të Amerikës afër, bashkë me ne. Ky është ai qëndrim.

Zëri i Amerikës: A e përkrahin Shtetet e Bashkuara reciprocitetin?

Kadri Veseli: Unë e kam dorëzuar një dokument, e  kemi pasur çështjen e suspendimit 120 ditësh dhe reciprocitetin dhe aty  do të jemi, por nuk ka pasur nevojë të vijmë deri te kjo situatë fare.  Ne na duhet Kosova shtet i pavarur dhe sovran, por Kosova shtet i  pavarur, sovran dhe i zhvilluar do të bëhet vetëm në këtë rrugë në të  cilën ne duhet të jemi të gjithë bashkërisht, po e përkrahin shumë  qytetarët e vendit tim. Jam tepër i lumtur me Shtetet e Bashkuara sa më  afër, sa më ngushtë partneritetin, edhe perëndimorët evropianë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli si prisni të vazhdojnë bisedimet dhe kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?

Kadri Veseli: Sapo të kryhen këto zgjedhje,  konstituohet parlamenti, unë do t'i drejtohem parlamentit të Republikës  së Kosovës dhe qëndrimi im do të jetë së bashku me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës. Më konkretisht unë nuk i frikësohem asnjë ballafaqimi me  Serbinë, në jetë nuk u jam frikësuar, e di saktë se çka i duhet kombit  tim edhe vendit tim në dialogun me Serbinë, është ulësja në Organizatën e  Kombeve të Bashkuara, nuk ka alternativë tjetër, nuk ka negocim tjetër,  për aq sa ne do të jemi shumë gjeneroz në të drejtat e serbëve, por do  të kërkojmë edhe shqiptarët, vëllezërit tonë e motrat tona në Preshevë,  Medvegjë e Bujanoc të respektohen reciprocikisht.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli është përmendur shpesh  që Kosova ndoshta duhet të sakrifikojë diçka për të arritur një  marrëveshje me Serbinë. Si e shihni ju këtë sakrificë?

Kadri Veseli: Sakrificë është e mjaftueshme ajo çka  kemi dhënë deri në arritjen e lirisë, sakrificë e mjaftueshme janë këto  të cilat po i bëjmë secilën ditë më ngushtë me Shtetet e Bashkuara të  Amerikës dhe do ta fitojmë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara,  kjo do të jetë sakrifica. Edhe për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë,  Bujanoc ata duhet të respektohen nga shteti serb si i respektojmë ne  qytetarët serbë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli një çështje që është  ngritur shpesh është se kush duhet të udhëheq bisedimet me Serbinë,  kryeministri apo presidenti i vendit?

Kadri Veseli: Në bazë të një vendimmarrje në  kuvendin e Republikës së Kosovës është kryeministri dhe dhashtë Zoti ecë  çdo gjë mirë në momentin e gjashtë tetorit unë do të jem i gatshëm të  ballafaqohem aty ku ka nevojë Kosova, kombi im. Por jo të ngarendi pas  ndonjë pozite që të mendoj vetëm si ta marr atë pozicion por në  bisedimet me Serbinë, më falni, duhet të jetë kryeministri, duhet të  jetë opozita dhe nuk duhet të bëhet tekanjoze. Për çështjen e Kosovës  duhet të bëhemi bashkë. Kosova është e të gjithë neve, dhe duhet të jetë  presidenti i të gjithëve bashkërisht.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli, me kë do të  bashkëpunoni pas zgjedhjeve duke e ditur që asnjë parti nuk mund të  fitojë shumicën? Ose kënd e përjashtoni?

Kadri Veseli: Do t'i përjashtoj të gjithë ata të  cilët e rrezikojnë sovranitetin e Kosovës edhe janë të korruptuar. Ky do  të jetë një standard të cilit do t'i shkoj deri në fund, njerëzit që  janë të korruptuar nuk do të kenë vend në asnjë institucion të  Republikës së Kosovës, mbajeni në mend, nuk po flas vetëm për  institucione qendrore por edhe për ato lokale, do t'i shkoj këtij  projekti deri në fund. Orientimi është nga ekonomia, orientimi është nga  rinia, nga njerëzit që punojnë me djersën e ballit të tyre dhe  natyrisht strategjikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta  forcojë shumë më shumë miqësinë, do ta kthej nivelin e vitit 1999 kur  kemi fituar lirinë për arsye se ky partneritet është shumë domethënës  për jetën e qytetarëve tanë.

Zëri i Amerikës: Zoti Veseli të gjitha partitë janë shprehur kundër një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës. Si ju përgjigjeni?

Kadri Veseli: Janë simpatike këto partitë, a e mbani  në mend VLAN-in? Pastaj edhe këto koalicionet PAN-in e këto? Thjeshtë  unë nuk përjashtoj asnjë parti e cila ka legjitimitet te qytetarët e  vendit të vet, por korrupsioni një, dëmtimi i kombit dy, edhe nën tre,  platforma programore do të jetë vendimtare. Pastaj me kënd mundemi të  krijojmë koalicion, vullneti i qytetarëve duhet të respektohet në  përpikmëri deri në fund, mos të ketë vonesa, nuk duhet të jemi jo  korrekt për hir të qytetarëve. Ne po dalim në zgjedhje, kjo është një  garë demokratike, ta respektojmë njëri tjetrin edhe të shkojmë ta marrim  rezultatin me gjashtë tetor.

EMISIONET