"Venecia" i jep të drejtë Presidentit Meta: Mori vendime të arsyeshme

"Venecia" i jep të drejtë Presidentit Meta: Mori vendime

Veprimet e Presidentit të Republikës, sa i përket emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë përgjithësisht të pajtueshme dhe me një interpretim të arsyeshëm të Kushtetutës.

Ky është përfundimi që ka dalë Komisioni i Venecias në opinionin e vet paraprak, që u ka nisur palëve në debat në Shqipëri dhe që është siguruar i plotë nga Ora News.

Në 22 faqet e tij ekspertët e Komisionit të Venecias vlerësojnë si të drejta veprimet e ndërmarra nga kreu i shtetit në këtë çështje.

"Veprimet e ndërmarra nga Presidenti dhe zyra e tij, duken të arsyeshme, kështu që nuk ka asnjë bazë për fajësimin e Presidentit", thuhet në këtë dokument zyrtar.

Duke marrë në analizë procedurën e ndjekur nga Presidenti dhe Kuvendi në emërimin e gjyqtarëve, Komisioni vlerëson se është e nevojshme ndjekja e radhës mes institucioneve.

Komisioni i Venecias preferon interpretimin sipas të cilit rregulli i sekuencës së nenit 179 të Kushtetutës dhe nenit 7 të ligjit të Gjykatës Kushtetuese zbatohet vetëm brenda një raundi të caktuar emërimesh.

"Edhe pse Gjykata e Lartë nuk mund të zgjedhë anëtarin e saj, Presidenti do të fillojë përsëri me emërimin e një anëtari në një raund tjetër, i cili pasohet nga zgjedhja e një anëtari nga Kuvendi. Presidenti dhe Kuvendi duhet të vijojnë të emërojnë anëtarët e tyre", thuhet në opinion.

Duke marrë në analizë veprimtarinë e KED, komisioni arrin në përfundimin se veprimet e tij kanë qenë kryesisht problematike dhe antiligjore.

"Mënyra si veproi KED në 2019 është e diskutueshme. Të gjitha emërimet, përveç atij të zotit Muçi ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”, thekson opinioni.

Komisioni ka bërë një vlerësim juridik edhe të debatit mbi procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se në çdo rast për aq kohë sa kandidati nuk betohet përpara Presidentit, ai apo ajo nuk mund të fillojë punën. Një veprim ky, zhbën edhe nismën më të fundit të mazhorancës për të gjetur një zgjidhje, kur kreu i shtetit nuk thërret të zgjedhurin për të bërë betimin.

Në opinionin e vet, komisioni bën edhe një vlerësim të përgjithshëm të situatës institucionale në Shqipëri, duke theksuar se për shkak të konfliktit dhe mosbesimit të ndërsjellë mes drejtuesve shtetëror vendi rrezikon një paralizë të thellë.

Procesi i bllokuar i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nxjerr në pah vështirësi të mëdha për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Këto varen në një masë të madhe nga konfliktet institucionale, për shkak të mosbesimit të ndërsjellë midis drejtuesve shtetërorë dhe prirjes së tyre për selektivizmin e njëri-tjetrit.

"Sistemi institucional rrezikon një paralizë që tejkalon çështjen e procedurave të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese", thuhet në raport.

Sipas Venecias, kriza kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga një akt specifik, por  është pasojë e një ndërveprimi të disa faktorëve duke renditur procedurën e vettingut që nuk kishte efekte më të përhapura sesa ishte parashikuar.

"Probleme në zbatimin e dispozitave të paqarta kushtetuese janë përkeqësuar nga fakti se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe nga fakti se procedura është bërë objekt i një zënke mes qeverisë, kuvendit dhe presidentit", thuhet në opinion.

Gjithashtu opinioni thekson se mungesa e Gjykatës së Lartë mund të jetë edhe më kritike për stabilitetin e Shqipërisë, sesa mungesa e Gjykatës Kushtetuese.

Venecia rekomandon ndër të tjera që të rivlerësohet modaliteti aktual i vettingut, përfshirë fushë veprimin si dhe përshpejtimin e procesit të kontrollit.

EMISIONET