Reforma e ujit. Veliaj: Qytetarët që të lidhin vullnetarisht akt-marrëveshjet për pagesat

Reforma e ujit. Veliaj: Qytetarët që të lidhin vullnetarisht

Nga e hëna, në gjithë vendin do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm, si dhe lidhjen e kontratave të reja. Kjo fazë ndërgjegjësimi paraprin aksionin që fillon nga muaji shkurt e në vazhdim ku grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike.

Në mbledhjen e Shoqatës për Autonominë Vendore, ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës, tha  se do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

Veliaj: “Deri në fund të këtij muaji qytetarët do të ftohen vullnetarisht që të lidhin akt-marrëveshjet me Ujësjellësin nëse janë debitorë; të vënë matësit, nëse nuk i kanë pasur më parë; të shlyejnë detyrimet, që të ndalohet vullnetarisht vjedhja dhe shpërdorimi i ujit të pijshëm. Nga e hëna, secili prej nesh do të jetë në terren për një fushatë komunikimi me qytetarët, të cilët na janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme. Por, kjo duhet inkurajuar dhe besoj se është në nderin tonë që dy javët e fundit të janarit, të përfshihemi në një fushatë lokale për të informuar qytetarët”

Veliaj shtoi se duke filluar nga data 1 shkurt, bashkitë do të fillojnë verifikimin e pagesave për punonjësit e tyre, të cilët do të nënshkruajnë një deklaratë dhe do të paraqesin edhe librezën e pagesave të ujit.

Veliaj: Çdo staf i 45 bashkive tona, do të duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit që e paguan faturën e ujit dhe duhet të tregojë një kopje të librezës. Ndaj, ju lutem, porosisni drejtorët e burimeve njerëzore në çdo bashki, por edhe në çdo institucion në varësi të bashkisë, që nga data 1 shkurt secili të tregojë faturën e paguar të ujit, siç u bë me energjinë. Kemi filluar ta bëjmë në Bashkinë e Tiranës, kemi larguar nga detyra ata që nuk paguajnë faturën e ujit”, theksoi ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se vetëm nga aksioni i nisur gjatë verës në kryeqytet është arritur ndërprerja e 13.830 rasteve të lidhjeve të paligjshme

EMISIONET