Kurt Masur, një prej dirigjentëve më në zë të botës, vdiq sot në moshën 88-vjeçare, njoftoi presidenti i Filarmonisë së Nju Jorkut, Matthew VanBesien, nëpërmjet një mesazhi. “Me trishtim të thellë ju shkruaj në emër të familjes Masur dhe Filarmonisë së Nju Jorkut, ku Kurt Masur, i cili mbajti postin e drejtuesit tonë muzikor nga viti 1991 në vitin 2002 duke e merituar këtë titull të shquar, vdiq sot”, shkruan Matthew VanBesien. Kurt Masur kishte njoftuar në vitin 2012 se vuante nga sëmundja e Parkinsonit. I lindur në Silezi, në vitin 1927, Kurt Masur ka dirigjuar disa nga orkestrat kryesore të botës, kryesisht Filarmoninë e Nju Jorkut, Orkestrën Kombëtare të Francës (ONF) në Paris dhe Orkestrën Filarmonike të Londrës. Në kohën kur mbante postin e drejtuesit artistik të nderit në ONF, ai është rrëzuar aksidentalisht nga podiumi ku po drejtonte orkestrën, në Teatrin Champs Elysées, në prill të vitit 2012, duke shkaktuar një frakturë në shpatull. Kurt Masur ishte veçanërisht i apasionuar pas kompozitorëve Bach, Mendelssohn, Brahms dhe Beethoven. Marrë nga: ATA

/Ora News.tv/