Më 6 tetor Kosova mban zgjedhjet parlamentare të përkohshme. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka në një intervistë ekskluzive për Ora News deklaron se zgjedhjet do të vëzhgohen nga BE ndërsa OSBE ka vetëm mision këshillues.

"BE me kërkesë të presidentit ka sjellë misionin vëzhgues. Që nga momenti i parë kanë nisur vëzhgimin e procedurave paraprake. Do të vëzhgojnë ditën e zgjedhjeve dhe procedurat e pas ditës së zgjedhjeve. Ata do të përpilojnë një raport me rekomandime eventuale."

OSBE do të jetë prezent me një rol këshillues por nuk kanë kompetencë ekzekutive. Ata kanë më tepër mision vëzhgues.

Zonja Daka shpreson se pas zgjedhjeve do të ketë një reformë të mirëfilltë zgjedhore.

"Shpresoj një reformë zgjedhore e mirëfilltë pas këtyre zgjedhjeve siç kërkohet nga BE.

Sfida mbetet veriu i Kosovës

"Veriu i Kosovës ku pjesët e popullatës me shumicë serbe, janë zona të nxehta edhe pse ne kemi organizuar shumë palë zgjedhje dhe vëmendja jonë do të përqëndrohet në atë pjesë" thotë Daka në intervistën telefonike me Ora News.

Zonja Daka parashikon që rezultatet e para të dalin 2- 3 orë pas mbylljes së procesit.

"2-3 orëve të para të mbylljes së procesit do të kemi rezultatet live. Kemi përmirësim të dukshëm të infrastrukturës dhe shpresoj të mos kemi një pengesë teknike."

Votimi i diasporës

Daka thotë se ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit është vënë re një numër i madh aplikimesh

 "Këtë vit kemi një numër jashtëzakonisht të madh që kanë shprehur interesim. Janë 42 mijë aplikime për tu regjistruar si aplikues për të votuar. Do shohim sa do të votojnë. Dua të theksoj se kjo procedurë është shumë e komplikuar dhe e kushtueshme" 

Zonja Daka ka dhe një apel për të dielën

"Partitë politike i thërras që të dielën të respektojnë Kushetutën dhe ligjet në fuqi ndërsa qytetarët ftoj të shfrytëzojnë këtë të drejtë të dalin të votojnë dhe të kemi ata që janë më të mirët në qeverisje"

Intervista u dha per gazetarin Klodi Karaj. 

/Ora News.tv/