Vaj, çokollatë e pluhur hashashi, zbulohet në Vlorë kantina ku përpunohej drogë
Një bazë e përpunimit të kanabis sativës u sekuestrua në Vlorë në kuadër të një operacioni të përbashkët mes agjensive ligjzbatuese që vuri në pranga dy persona. Veprimtaria ushtrohej në një kantinë vere, ku u sekuestruan rreth 80 kilogram lëndë narkotike e përpunuar në vaj, çokollatë e pluhur hashashi. Në pranga përfunduan Shahin Zanaj, Kristaq Derraj, të cilët tashmë po kalojnë edhe në sitën e kontrollit të pasurive të dyshuara si produkt i pastrimit të veprimtarisë kriminale.
Rreth 80 kilogram vaj hashashi, hashash në formë cokollate dhe pluhuri u sekuestruan në këtë ndërtesë në lagjen 'Çole' të Vlorës që në katet e sipërme përdoret për banim, ndërsa në katin e parë shërben si kantine vere.
Lënda narkotike e përpunuar në format e saj më të shtrejta u sekuestrua si finalizim i operacionit “Portokallja”, një bashkëpunim mes policisë dhe prokurorisë së Vlorës.
Në pranga përfunduan Shahin Zanaj 60 vjeç dhe Kristaq Derraj 26 vjeç, që të dy banues në qytetin e Vlorës, të cilët mësohet se kanë qenë prej kohësh nën hetim pas një referimi të policisë
Droga në të treja format e saj u gjet dhe u sekuestrua në pjesën e ndërtesës që shërbente si kantinë vere, ku po ashtu u gjetën edhe pajisje që përdoren në përpunimin e lëndës narkotike.
Në kuadër të hetimit, policia ka identifikuar dhe disa asete që dyshohet se rrjedhin nga kjo veprimtari të paligjshme, të cilat i janë referuar prokurorisë së Vlorës në ngarkim të shtetasit Shahin Zanaj, për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Në këtë kuadër po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjthshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtyre shtetasve.
Ndërkohë strukturat e Policisë njoftojnë se së bashku me ato doganore janë duke bërë inventarizimin e aseteve, për të dokumentuar plotësisht veprën penale të pastrimit të produkteve që burojnë nga aktiviteti kriminal.