“Urtësia për t’i dhënë fund marrëzisë”

“Urtësia për t’i dhënë fund

Qëndrimi i Presidentit të Republikës është tregues i rastit kur  përgjegjësia anon nga shteti dhe jo nga pushteti. Dallimi kryesor midis  një burri shteti dhe një politikani është se burri i shtetit vë  interesat e vendit para interesave të veta politike, kurse politikani vë  interesat e veta politike para interesave të vendit.

 Presidenti ishte i qartë në parashtresën që u bëri shqiptarëve. Zgjedhje  do të thotë të zgjedhësh midis alternativave. Vetëm mazhoranca pa  opozitën nuk garanton funksionimin e sistemit demokratik. Mungesa e  konkurrencës në mbi 50 bashki, ku kemi vetëm një kandidat, apo në disa  bashki të tjera me kandidatë figurantë, pa përfaqësim të opozitarizmit  real, i kthen zgjedhjet në farsë dhe pluralizmin e bën qesharak.

 Zgjedhjet e njëanshme do të kompromentonin rëndë parimet kushtetuese të  një shteti demokratik, anëtar i NATO-s, si dhe do të shënonin një hap  mbrapa për çeljen e negociatave dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

 Presidenti ndërhyri në cilësinë e garantit të Kushtetutës dhe të  respektimit të saj në frymë e në germë. Siguria e rendit kushtetues, e  unitetit të popullit, nga njëra anë dhe garantimi i pluralizmit politik  për të mos rrëshqitur në votime moniste, është përgjegjësi e gjithë  lidershipit politik, por mësëpari ajo është përgjegjësi e Kreut të  Shtetit.

 Dekreti për të shmangur konfliktin social, për të mos lejuar një proces  elektoral fasadë, në kushtet kur situata në vend pengon zgjedhje  demokratike e gjithëpërfshirëse, është një akt shtetari që buron nga  përgjegjësia e tij kushtetuese për kontrollin e balancimin e pushteteve,  të shprehura në raportet midis ekzekutivit dhe gjyqësorit. Nisur nga  kjo përgjegjësi Presidenti u dha një mundësi për dialog palëve, në  mënyrë që ato të heqin dorë nga demonstrimi i muskujve dhe të kenë  përgjegjshmëri për të mirën e vendit.

 Përkundër këtij qëndrimi të Presidentit, kryeministri Edi Rama e ka  zgjeruar së tepërmi drejtimin autokratik të shtetit duke kontrolluar  deri tani me dorë të fortë pushtetin parlamentar, pushtetin ekzekutiv,  prokurorinë e, në vijim, institucionet e reformës në drejtësi, madje,  siç është shprehur vetë, ai po synon të marrë krejt bashkitë e vendit.  Këto janë synime të mbrapshta të një modeli politikanësh me bollëk në  tranzicionin shqiptar. Të gjitha për vete. Të drejtosh nëpërmjet  anatemimit të kundërshtarëve politikë.

 Në një vend ku ka përgjegjshmëri politike, sociale e kombëtare spektri  politik duhet të bashkëpunojë me hapa konkretë për zgjedhje të pablera  në bashkëpunim me krimin e organizuar. Për tërë klasën politike duhet të  jetë kambanë alarmi kur zgjedhjet nuk janë pluraliste, kur sistemi  demokratik pluralist cenohet, kur ka rrezik për konflikt social që mund  të deformojë rendin kushtetues.

 Babëzia për tepsinë dhe ruajtjen e interesave të oligarkëve po ia humbet  arsyen për detyrimin që ka mazhoranca për të garantuar zgjedhje të lira  dhe të drejta. Me kryeneçësi, ajo do që t’i bëjë zgjedhjet, pavarësisht  nga kostot sociale dhe imazhin të vendit në prag të çeljes së  negociatave. I është tiposur t’i marrë të gjitha pushtet, “ta shkarkojë”  Presidentin, madje edhe të shkatërrojë opozitën për të ndërtuar një  tjetër, si e do ajo.

 Ju keni të drejtë, z. Kryeministër, kur thoni se duhet zbatuar  Kushtetuta, se populli ka të drejtën e votës një herë në katër vjet. Por  ama, çfarë e drejte do të ishte kjo nëse zgjedhjet janë jopluraliste,  pa alternativa, në një situatë të një konflikti social? Ndaj, të lëmë  mënjanë marrëzinë dhe të vëmë në punë urtësinë e cila na mëson se çdo  vendim është i drejtë nëse të fituar dalin qytetarët, nëse fiton apo  ruhet pluralizmi, nëse demokracia e stabiliteti prevalojnë ndaj  diskurseve të ngurta teknokrate me ligje e nene, të cilat volendo  dolendo nxisin tensione sociale. Vetë zgjedhjet pa dekret janë një puç  institucional. Një përplasje sociale do ta kthente historinë e  shqiptarëve në pikën fillestare. Çdo akt juridik duhet të vihet në  baraspeshë me dobinë publike dhe parimet e stabilitetit social.  Përdorimi i KQZ-së si “mish për top” për të kundërshtuar dekretin tregon  se ajo është nën diktatin politik, kur është e qartë se ajo vetëm duhet  të zbatojë dekretin e Presidentit dhe nuk ka kompetencë për ta  kundërshtuar. Fund marrëzisë! Është e nevojshme që politika të largohet  nga ky mllef e vënie thikash majë më majë dhe t’i thërrasë arsyes sa nuk  është vonë! T’i thërrasim të gjithë arsyes me urtësi dhe të  bashkëpunojmë për të mirën e vendit! Prandaj, është radha Juaj z. Rama:  vishni kostumin e burrit të shtetit, nëse doni që t’Ju ndjekë historia.  Në mos do të përndiqeni prej saj. Hiqni dorë nga kjo lloj burrërie  politikani, që është marrëzi dhe zëvendësojeni atë me urtësinë e burrit  të shtetit prej së cilës dalin të fituar qytetarët dhe Ju vetë.

EMISIONET