Fushata e lajmërimit të IKMT për prishjen e banesave në Unazën e Re është shoqëruar me tensione dhe përplasje.

Një punonjës i IKMT-së mbeti i plagosur pas konfrontimit fizik me banorët e Astirit në Tiranë të cilët kundërshtuan njoftimin për lirimin e banesave për ti hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe. 

50-vjeçari Albert Bitraj po kryente njoftimin e banorëve që duhet të lirojnë shtëpitë deri të hënën në momentin kur është konfrontuar me qytetarët dhe ka pësuar fraktura në kokë dhe duar. 

Punonjësi i IKMT është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 

" A.B, 50 vjeç, është goditur me mjete te forta nga banoret duke i shkaktuar frakturë të fortë në kokë dhe në duar. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin ushtarak për të marrë mjekimin e duhur. Punonjesi i IKMT, ishte duke kryer detyrën, teksa lajmëronte poseduesit e disa objekteve në këtë zonë se janë pengesë e zbatimit të projektit të Unazës së Madhe" njofton IKMT.

Pas ngjarjes forca të shumta policia dhe të FNSH-së Tiranë, zbarkuan në zonën e Astirit duke nisur hetimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes por edhe për të mbajtur situatën nën kontroll. 

Mësohet se gjatë përplasjeve në zonën e astirit, lëndime të lehta ka pësuar dhe shefi i policimit në komunitet pranë komisariatit nr.6 ndërkohë që IKMT reagoi duke kërkuar vënien e autorëve para përgjegjësisë. Nga ana tjetër ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, kërkoi që qeveria të gjejë një zgjidhje dhe të dialogojë me banorët e unazës.

Klevis Balliu: "Te marre keta banorë e të ulen e diskutojne, të gjehet zgjidhje me dialog"

Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për të identifikuar autorët e ngjarjes, ndërsa dënimi për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës është ashpërsuar pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal të propozuara nga mazhoranca. Më parë kjo vepër penale dënohej me gjobë deri në 2 vite burg, por me ndryshimet e reja saksioni është nga 1 deri në 3 vite heqje lirie.

/Ora News.tv/