Ulet papunësia, rriten pagat

Ulet papunësia, rriten pagat

Numri i personave të papunë në Shqipëri ka pësuar ulje gjatë vitit 2018. Sipas INSTAT, të rinjtë vijojnë që të jenë nëngrupi me nivelin më të lartë të papunësisë në vend. Ndërkohë është regjistruar një rritje edhe e pagave bruto me 3.4%. Sa u përket rrogave, bankierët vazhdojnë të kenë më shumë përfitime dhe bujqësia ka pagat me të ulëta.

Gjatë vitit 2018, papunësia në Shqipëri ka pësuar një ulje me rreth 1.1%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e katërt 2018, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 12,3 %.

Të rinjtë vijojnë që të jenë nëngrupi me numrin më të lartë të papunëve dhe sipas të dhënave shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 22,3 % edhe pse në terma vjetore shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie.

Po ashtu në bazë gjinore, sipas INSTAT meshkujt kanë shkallën  më të lartë të papunësisë krahasuar kjo me femrat.

Po sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar gjatë tremujorit të katërt 2018, është 52.312 lekë, duke u rritur me 3,4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Ndërkohë përsa i përket profesioneve më të paguara me një diferencë mjaft të thksuar më të lartë rezultojnë  pagat bruto mujore  të aktiviteteve financiare dhe sigurimeve që janë 111.626 lekë.

Ndërsa  bujqësia ka nivelin më të ulët të pagës me 37.343 lekë.

Po ashtu nëse krahasojmë pagat e administratës me sektorin privat konstatohet një diferencë e theksuar e ndikuar kjo edhe nga niveli i informalitetit apo deklarimi i saktë.

Paga për grup-profesionin e teknikëve dhe specialistëve në zbatim ka rritjen më të madhe prej 7,1 % gjatë tremujorit të katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grupprofesionin e të punësuarve në Forcat e Armatosura ka uljen më të madhe, prej 2,2 %.

EMISIONET