U zhduk 15 vite më parë, gjendet në liqen trupi i italianit të martuar me shqiptare

U zhduk 15 vite më parë, gjendet në liqen trupi i italianit

Kufoma e një shtetasi italian të zhdukur prej vitit 2004 është gjetur rastësisht nga disa zhytës në ujërat e liqenit Sebino në qytezën Tavernola Bergamasca.

Trupi është gjetur në brendësi të automjetit të tij tip Ford Fiesta në thellësinë 80 metra.

Viktima është italiani Rosario Tilotta. Ai u zhduk në moshën 59 vjeçare dhe ishte i martuar me shtetasen shqiptare Elva Kurti, 22 vite më e re.

Tilotta dhe Kurti kishin një djalë së bashku, i cili lindi në Seriate më 10 mars 2005, 8 muaj pas zhdukjes së tij.

Gjetja e kufomës ka çuar në hapjen e një procesi hetimor mbi ngjarjen. Autoritetet italiane janë vënë në kërkim të shqiptares, e cila rezulton e larguar nga Italia që prej vitit 2007.

Kurti po kërkohet edhe në Shqipëri dhe dëshmia e saj është e rëndësishme në zbardhjen e kësaj ngjarje.

Elva Kurti denoncoi zhdukjen e bashkëshortit të saj vetëm pas disa javëve, duke thënë se kishte menduar që ai larguar vetë dhe që do të rikthehej përsëri.

Ajo mbërriti në Itali më 2002 me leje të rregullt qëndrimi.

Do jetë autopsia që do zbulojë shkaqet e vdekjes së 59 vjeçarit, nëse bëhet fjalë për vrasje, vetëvrasje apo aksident rrugor pasi rruga pranë liqenit 15 vite më parë nuk kishte ndarëse betoni.

Ndërkohë prokurorët italianë kanë nisur të hetojnë mbi jetën e Rosario Tilottas para zhdukjes.

Për mediat italiane ka folur vëllai i tij 80 vjeçar. Ai ka deklaruar se vëllai i tij merrej me punë të pista, frekuentonte prostituta ndoshta trafikonte edhe drogë.

Liqeni Sebino përdorej dikur nga bota e krimit në këtë territor si vend zhdukje për viktimat e tyre.


EMISIONET