Ka rënë në prangat e policisë përfaqësuesi i firmës që po kryente punimet në një objekt ndërtimi në Golem ku humbi jetën punëtori 40-vjeçar, i cili ra nga lartësia pasditen e së martës (22 tetor).

Uniformat blu arrestuan 37-vjeçarin me iniciale M. K., me akuzën se ka shkelur rregullat e mbrojtjes në punë.

Pas hetimeve të kryera nga policia rezultoi se viktima D. H., nuk ishte i siguruar dhe nuk ka pasur kontratë pune me firmën e punimeve që përfaqësonte M. K.

“M. K., 37 vjeç, banues në Durrës, me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem ka shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punëtori D. H. (i cili ra nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital) nuk ka qenë i siguruar dhe nuk ka pasur kontratë pune me firmën e punimeve që shtetasi M. K. Përfaqësonte,”-raportojnë uniformat blu.

Ndërsa janë shpallur në kërkim administratori dhe drejtuesja teknike e firmës që kryente punimet, respektivisht shtetasit me iniciale I. K. dhe E. S., pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë.

Rënia nga lartësia - 40-vjeçari nga Durrësi humbi jetën pasi u rrëzua nga një objekt gjatë punës për rikonstruksion.

Ai u dërgua menjëherë në spital, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkohë nuk dihen ende rrethanta e ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.

/Foto arkive

/Ora News.tv/