U kallëzua nga Meta, reagon Dvorani: Do jap shpjegime mbi faktet dhe të vërtetën

U kallëzua nga Meta, reagon Dvorani: Do jap shpjegime mbi faktet dhe

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka reaguar pas firmosjes së kallëzimit penal ndaj tij nga kreu i shtetit, Ilir Meta.

Në një njoftim për mediat, Dvorani edhe pse e konsideron shantazh të bërë nga kreu i shtetit sqaron se do të japë shpjegime para organit të akuzës për çdo fakt dhe të vërtetë.

"Unë do ti bindem urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi", sqaron Dvorani.

Dvorani argumenton se sjelljet dhe veprimet e tij, jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit.

"Ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale", deklaron kreu i KED.

EMISIONET