Në shenjë nderimi dhe përkujtimi për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, pasditen e nesërme në Prishtinë do të organizohet turneu që pritet të bëhet tradicional tashmë.

Në stadiumin që mban emrin e tij, pra "Fadil Vokrri" priten të jenë disa skuadra të veteranëve mbi moshën 45 vjeç. Pjesëmarrëse në turne janë skuadrat e veteranëve të Llapit, Prishtinës, Flamurtarit të Vlorës dhe ekipit të veteranëve nga Maqedonia e Veriut.

Një aktivitet që pritet të rrisë atmosferën në kryeqytetin e Kosovës. Për ta bërë akoma dhe më të bukur këtë ka menduar grupimi i tifozëve, "Dardanët". Përmes një statusi në rrjetet sociale, grupimi bën thirrje që në shkallët e stadiumit të jenë sa më shumë shikues.

Më poshtë njoftimi i Dardanëve:

Në shenjë nderimi dhe përkujtimit të legjendës së futbollit të Kosovës dhe ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 18:00, organizohet turne përkujtimor me rastin e datëlindjës së legjendës Vokrri.

Ky turne tradicional këtë vit është viti i parë, dhe do vazhdoj të organizohet gjdo vit.

Ftojmë të gjithë futbolldashësit dhe miqtë, që në numër sa më të madh të jemi në shkallët e stadiumit, ta nderojmë kujtimin për legjedën Vokrri."-thuhet në deklaratën e tifo-grupit.


/Ora News.tv/