Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është drejtuar me një letër Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti amerikan i kërkon palës serbe që të arrijë një marrëveshje me Kosovën që do të rezultonte me njohje të ndërsjellë.

Letra e Presidentit Trump për Vuçiç: 

I nderuar zotëri president,

Në emër të popullit amerikan, kam kënaqësinë t’iu dërgojë urimet më të sinqerta me rastin e Ditës së Republikës së Serbisë.

Këtë vit, në festimin e 100 vjetorit të valëvitjes së flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë, duhet të nisemi nga ajo që të sigurojmë që shekulli i ardhshëm i partneritet tonë të jetë i ngjashëm me atë të kaluarin sa i përket përkushtimit për paqe, prosperitet dhe liri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të palëkundura në mbështetjen e përkushtimit tuaj sa i përket thellimit të bashkëpunimit rajonal, në veçanti në angazhimin tuaj për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Derisa ju mbetet palëve të arrijnë marrëveshje që të dyja mund ta mbështesin, konsiderojmë se njohja e ndërsjellë do të duhej të ishte elementi qendror i normalizimit të raporteve.

Një marrëveshje e tillë historike, me njohje në tërësinë e saj, do të ndërtonte rrugën për qëllimin e integrimit euroatlantik të Serbisë dhe rritjen ekonomike".

Në letrën drejtuar presidentit kosovar, kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson faktin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse", shkruan Trump.

Letra e plotë e Trump drejtuar Thaçit:

I nderuari Z. President:

Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj

Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare. Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.

Sinqerisht,

Donald J.Trump

/Ora News.tv/