Katër efektivë policie kanë mbetur të plagosur gjatë operacionit të Forcave Speciale të Kosovës në veri të Mitrovicës.

Policët janë shtruar në spitalin e Kosovës dhe raportohet se janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Efektivët e plagosur u vizituan nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli tha se shteti i Kosovës dhe ligji do të jetë i pakompromis për personat e përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, edhe nëse mbajnë poste zyrtare.

Ai i konsideroi policët e plagosur si 'trimat e Kosovës'.

Kadri Veseli: "Ky do të jetë edhe një mesazh për të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion, shteti i Kosovës dhe ligji do të jetë i pakompromis, pavarësisht nëse mbajnë një petk zyrtar apo kanë një post zyrtar, qoftë politik apo në uniformë, pa dallim etnie. Ajo çfarë është pozitive, policët janë në gjendje të mirë shëndetësore. 

Njëri i cili ka qenë i lënduar më rëndë është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu edhe policët e tjerë të cilët do t’i vizitojë tani, janë jashtë rrezikut për jetën. Ata janë trimat e Kosovës. Ne, të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe unë si bartës i përgjegjësive institucionale, i falënderoj për përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme, për mbajtjen e rendit dhe sundimin e ligjit. Do ta kenë përkrahjen tonë të plotë."


/Ora News.tv/