Kontrollet fitosanitare të prodhimeve bujqësore me Maqedoninë pritet të eliminohen brenda vitit. Marrëveshja është diskutuar nga ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi me homologun maqedonas. Ministri i Bujqësisë theksoi se prodhimet bujqësore shqiptare po eksportohen edhe në vendet e BE dhe nuk ka pasur asnjë problematikë.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë rënë dakord që të  heqin kontrollet e eksporteve bujqësore në kufi. Kjo është vendosur në takimin që pati ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, me homologun nga Maqedonia e Veriut, Trajan Dimkovski, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ministri Çuçi  u shpreh se pritja në kufi për analizat ka dëmtuar prodhimet shqiptare

Çuçi: Ka ardhur koha që edhe këtë 20% ta rishikojmë sepse sigurisht që kjo gjë krijon problem për produktet bujqësore që kanë një vecori që janë të freskëta dhe koha e gjatë e pritjes në kufi për marrjen e përgjigjeve të analizave bën që ato të prishen.

Më tej ministri Çuçi  i shtroi homologut të tij  maqedonas edhe problemin e eksportit të qumështit si dhe eksportin e kafshëve të gjalla drejt Maqedonisë së Veriut

Çuçi:  Sinqerisht nuk e kuptoj përse kemi pengesa për të patur qarkullimin e kundërt; eksportin e kafshëve nga Shqipëria në vendin tuaj. Ka ardhur koha që të kemi një marrëdhënie reciproke të shëndetshme në lidhje me këtë lëvizje.

Në përfundim të dy ministrat u dakordësuan që tre grupe pune të ndjekin këto çështje në nivel teknik dhe më pas të mbërrihet tek nënshkrimi i marrëveshjes.

/Ora News.tv/