Tragjike/Të paktën 29 të vdekur nga rrëzimi i autobusit me turistë gjermanë në Portugali

Të paktën 29 persona humbën jetën pasi një autobus që transportonte turistë gjermanë doli nga rruga dhe u përmbys në ishullin portugez Madeira.

Ndërkohë 27 persona të tjerë raportohet se mbetën të plagosur nga aksidenti pranë qytetit Caniço.

Aksidenti ndodhi në orën 18:30, ku shoferi humbi kontrollin e autobusit në një kryqëzim dhe doli jashtë rrugës, sipas agjencisë portugeze të lajmeve Lusa.

Mjeti përfundimisht u ndal në çatinë e një shtëpie.

"Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndodhi. Nuk mund të përballoj vuajtjet e këtyre njerëzve", tha kryetari lokal Filipe Sousa për televizionin SIC.

Ai tha se të gjithë turistët në autobus ishin gjermanë, por edhe banorë të zonës gjithashtu mund të ishin midis viktimave.

Njëmbëdhjetë nga viktimat ishin burra dhe 17 gra, shtoi Sousa. Autobusi u raportua se mbante 55 pasagjerë, shoferin dhe një udhëzues për turneun.

Një tjetër grua më vonë vdiq nga lëndimet në spital.

Nënpresidenti i qeverisë rajonale të Madeira, Pedro Calado, tha se autobusi i plotësonte standardet e sigurisë dhe se ishte "e parakohshme për të folur për shkaqet që shkaktuan rrëzimin e tij".

Skena e rrëzimit është mbyllur dhe të plagosurit janë transportuar në një spital në kryeqytetin e ishullit Funchal, Lusa. Një hetim për rrëzimin është nisur.

Presidenti portugez Marcelo Rebelo de Sousa po fluturon në ishull për të vizituar skenën e aksidentit, tha agjencia.

Kryeministri Antonio Costa ka dërguar një mesazh ngushëllimi ndaj kancelares gjermane Angela Merkel, raportoi Reuters.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert shkroi: "Trishtimi ynë i thellë shkon tek të gjithë ata që humbën jetën në aksidentin me autobus, mendimet tona janë me të plagosurit".

Ishulli portugez Madeira ishte skena e një  tjetër aksidenti fatal në 2005, ku pesë turistë italianë vdiqën në São Vicente, në bregun verior.


EMISIONET