Tragjedi në një disko në Itali, 6 të vdekur, mbi 100 të plagosur

Një tragjedi ka ndodhur në një disko në Akona të Italisë pak pas mesnatës së të premtes.

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi u shtypën nga turma të mëdha të njerëzish që po vraponin të dilnin nga klubi i natës.

Nga informacionet paraprake raportohet se njerëzit kanë nisur të dalin me vrap nga disko pasi u hodh një spray në ajër.

12 të rinj raportohet të jenë në gjendje të rëndë për jetën.

Tragjedia ndodhi rreth orës 01:00 në klubin e natës 'Lanterna azzurra' në Corinaldo, Madonna del Piano.

Viktima të tragjedisë ishin 5 djem të mitur dhe një nënë, e cila shkoi në disko për të shoqëruar vajzën e saj, raporton ANSA.

Në disko mendohet se ishin rreth 1 mijë persona dhe pritej të fillonte koncerti i Sphere Ebbasta.

Të plagosurit thonë se dalja e emergjencës ishte e mbyllur.

"Ne po kërcenim dhe po prisnim të fillonte koncerti i  Sphere Ebbasta, kur ndjemë një erë. Vrapuam për tek daljet e emergjencës por i gjetëm të mbyllura,"-raportoi një 16 vjeçar, që u plagos nga turma. "Njëri vdiq pasi u shtyp nga të gjithë."

Adoleshenti u transportua së bashku me të dashurën e tij, të të njëjtës moshë, në spitalin Torrette di Ancona.

Të plagosurit janë shpërndarë në spitalet e Torrette in Ancona, Senigallia dhe Jesi.

Policia po heton ngjarjen.




EMISIONET