Trafik klandestinësh me “Whatsapp”, arrestohen dy shqiptarë dhe dy të huaj në Tiranë

Trafik klandestinësh me “Whatsapp”, arrestohen dy

Policia ka vënë në pranga dy shtetas shqiptarë dhe dy të huaj pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar skemë trafikimi klandestinësh nga Greqia drejt Malit të Zi. E gjithë skema është zbuluar në telefonat celularë, ndërsa strehimin e emigrantëve e bënin në zonën e Laprakës në kryeqytet.

Dy shtetas shqiptarë dhe dy të huaj janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi kishin krijuar një skemë për trafikimin e klandestinëve me kombësi nga Lindja e Mesme drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër të rinjtë dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, bënin transportimin e emigrantëve klandestinë të kombësisë siriane ose kombësive të tjera.

E gjithë skema dhe koordinimi bëhej nëpërmjet aplikacioneve Whatsapp dhe Messenger, ku dy shqiptarët koordinoheshin me një maroken dhe një sirian për gjetjen e personave që do trafikoheshin.

Ata zgjidhnin emigrantë me kombësi marokene, afgane dhe irakene, të cilët pasi i kalonin nga kufiri i gjelbër në drejtim të Korçës i transportonin drejt Tiranës.

Në kryeqytet sistemoheshin fillimisht në dhoma me qira apo hotele në zonën e Laprakës, ndërsa më pas transportoheshin me automjete private drejt kufirit të gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian. 

Dy të arrestuarit e huaj kishin rolin e organizatorit në këtë skemë, ndërsa dy të rinjtë shqiptarë kishin rolin e transportuesit, përkthyesit dhe të personave që shpesh tërhiqnin paratë që transferoheshin nëpërmjet agjencive te transfertave monetare.

Policia njofton se në kuadër të operacioni të koduar “Backlash” është bërë procedimi në gjendje të lirë për tre shtetas turq të cilët akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar një automjet dhe 4 aparate celulare.

EMISIONET