Ministrja e Kulturës së Shqipërisë Mirela Kumbaro Furxhi dhe kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino nënshkruan në Torino marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë. Marrëveshja u nënshkrua në datën 11 dhjetor 2015 në sallën Rossa të Bashkisë së Torinos, me prezencën e zëvendës presidentit të Këshillit, Gioacchino Cuntrò. Marrëveshja tre-vjeçare parashikon shkëmbime të rëndësishme që do të promovojnë dhe mbështesin aktivitete reciproke të të dy vendeve në fushën e muzikës, artit pamor, artit kontemporan, duke vlerësuar njëherësh edhe sektorin e industrisë krijuese, që ndihmon në zhvillimin ekonomik dhe social. Në takimin e parë u diskutua konkretisht për disa propozime konkrete, të cilat do të marrin udhë me ngritjen e ekipeve të përbashkëta dhe punën konkrete shumëdimensionale të institucioneve kulturore të Torinos në Tiranë për projektet konkrete. Propozimet e para konkrete prekin disa nga fushat e kulturës dhe trashëgimisë. 1. Ekspozita të artit shqiptar dhe të fotografisë në Torino 2. Bashkëpunim profesional dhe trainim në fushën e restaurimeve me Institutin e Restaurimit të Venaria Reale dhe IMK, Tiranë 3. Programe të edukimit kulturor me Muzetë e Torinos dhe Muzetë shqiptare 4. Shqipëria në Panairin e Librit në Torino 5. Bashkëpunime në fushën e filmit. Ministrja Kumbaro u shpreh se diplomacia kulturore e Ministrisë së Kulturës merr rëndësi të veçantë me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. “ Strategjia jonë synon të zhvillojmë marrëdhënie ekonomike edhe përmes komunikimit kulturor, duke përfituar nga eksperienca e Torinos, nga ku mund të marrim modelet më të mira të zhvillimit kulturor të Torinos ku turizmi kulturor është sot burimi kryesor i të ardhurave, falë drejtimit inteligjent të Kryetarit të Bashkisë, Piero Fassino”. Marrëveshja e bashkëpunimit angazhon Bashkinë e Torinos dhe Ministrinë e Kulturës të mbështesin dhe të promovojnë bashkëpunime me Qendrën Kulturore Shqiptare , drejtuar nga Benko Gjata, si një faktor aktiv, zhvillues dhe promovues i artit dhe kulturës, kthyer tashmë në një pikë referimi për 6 mijë shqiptarët rezidentë në këtë rajon. Bashkëatdhetarët tanë janë ambasadorë të shkëlqyer të vendit në Itali. Ministrja e Kulturës Kumbaro zhvilloi takime dhe diskutoi për projekte konkrete me Rajonin e Piemontes me Assessoren për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Monica Cerutti dhe me zv/Presidenten e Rajonit, Daniela Ruffino, ku u diskutua për pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në aktivitetin “Ditët e Evropës”, i cili organizohet nga Rajoni i Piemontes në muajin maj 2016 . Ministrja Kumbaro mori pjesë në konferencën “Revolucioni Helenik: drejt globalizmit dhe zbulimit të laicitetit të artit”, organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare dhe Qendra e Studimeve Arkeologjike Herakles dhe në koncertin ku artistët Lindita Kopliku (piano) e Giovana Guli (violinë) interpretuan vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe evropianë.

/Ora News.tv/