Banka e Shqipërisë është duke analizuar mundësinë e shtyrjes me një tjetër afat 3-mujor të pagesës së kësteve të kredive për bizneset që janë prekur më shumë nga kriza e pandemisë Covid-19.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një intervistë për RTV Ora shprehet se po analizohet një mundësi për shtyrjen e kredive edhe për 3 muaj të tjerë.

Ai thotë se bankat duhet të bëjnë gjithçka në ndihmë të biznesit, por pa u thyer vetë.

Sejko: Vendimi i parë është për shtyrje 3 mujore të kësteve të kredive, pasi jemi koshientë që aktivitetet u mbyllën. Janë 2 miliard euro këste në total të kredisë së shtyra, nga 4 miliardë në total. 50% e portofolit janë shtyrë. 

Po analizojmë situatën edhe një herë me bankat e nivelit të dytë për të parë nëse do të jetë e nevojshme një shtyrje. Natyrisht në favor të biznesit do të duhej të bëhej një shtyrje por prioritet është stabiliteti financiar. Duhet të jemi të sigurtë nëse marrim një vendim për shtyrje tjetër.

Efektet financiare në institucionet financiare reflektohen në një kohë të mëparshme. Do të shohim në muajt e mëpasshëm që do të ketë përkeqësim në portofolin e kredive me probleme apo një rënie të kreditimit pavarësisht nga gjëndja e mirë që kanë bankat. Do të duhet të mbrojmë dhe bankat e nivelit të dytë që të kenë vijimsi dhe vazhdueshmëri të shëndetshme pasi nuk duhet të harrojmë që këto fonde e likuiditete janë depozitat e qytetarëve. Bankat janë ndërmjetës financiar duhet të kryejnë rolin e tyre por nuk janë varka e shpëtimit. Bankat të bëjnë gjithcka është e mundur në ndihmë të biznesit por pa u thyer vetë.

/Ora News.tv/