Tiranë, 31-vjeçari vret të dashurën, pasi refuzoi të martohej

Historia e dashurisë së fshehtë mes një 31-vjeçari të martuar dhe një vajze vetëm 19 vjeçe përfundoi në dramë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, (8 qershor)  ora 08:10 përbri rrugës “Don Bosko”, në Tiranë kur Xhafer Mata qëlloi me 2 plumba pistolete Xhujleta Çunin dhe pasi kaluan 15 minuta qëlloi veten në kokë.  

Vajza po shkonte për të dhënë provimin e letërsisë, pasi ishte maturante, ndërsa punonte si shitëse në një market.

Pikërisht pranë pallatit ku javën e fundit, Mata i ndërpriste rrugën çdo ditë Xhulietës, për ta bindur që ta merrte nuse në shtëpi, për të kurorëzuar kështu lidhjen intime disavjeçare. 

Nga ana tjetër, 31-vjeçari, me profesion inxhinier mekanik dhe i punësuar në servisin e tij, brenda ambienteve të banesës private, ishte divorcuar prej pak muajsh nga bashkëshortja, me të cilën kishte edhe një fëmijë të mitur.

Refuzimi i vajzës për t’u martuar me të dashurin e sapondarë nga gruaja është edhe pista më e fortë hetimore, ku janë përqendruar specialistët e sektorit të Krimit Kundër Jetës në Policinë e Tiranës, ndërsa janë pyetur familjarët për të mësuar rrethanat e plota të krimit. 

Vajza banonte pranë “Shinave të Trenit”, thuajse 500 metra larg banesës së 31-vjeçarit, ku familja e saj kishte ndërtuar shtëpinë prej disa vitesh, kur kishin ardhur nga Vinjolli i Matit. 

Ndërsa Xhafer Mata, me origjinë nga Kalimashi i Kukësit jetonte në banesë private.

 Njëri nga vëllezërit e tij jetonte në Britaninë e Madhe, ndërsa vëllai tjetër dhe motra banonin në Tiranë.


(Ne foto: Vendi ku vrau veten 31 vjeçari pasi kishte qëlluar ish të dashurën)




Ky është rasti i dytë brenda këtij viti, ku një djalë kryen vrasje për krim pasioni. Në fillim të vitit (21 janar 2018) Aldison Belulaj qëlloi me pistoletë studenten e drejtësisë, Ariela Muratin dhe më pas pistoletën e drejtoi nga vetja, ngjarje kj e ndodhur para spitalit Universitar Nënë Tereza në Tiranë.

Njoftimi zyrtar i policisë

Më datë 08.06.2018, rreth orës 08:10, në zonën e Don Boskos,  ne rrugen "Eshref Frasheri", shtetasi Xh.M., 31 vjeç dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistolete shtetasen Xh.Ç., rreth 19 vjeçe, e cila ka ndëruar jetë në vendngjarje.

Autori më pas ka qëlluar dhe veten me armë zjarri ku aktualisht është transportuar ne spital ne gjendje te rende per jeten.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.







EMISIONET