Tiranë: Vetëdorëzohet i dyshuari për vrasjen e Vilson Tafçiut

Tiranë: Vetëdorëzohet i dyshuari për vrasjen e Vilson

Tre ditë pas vrasjes së Vilson Tafçiut në Tiranë, autori i dyshuar është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës. Noel Disha është dorëzuar pasditen e të enjtes për të sqaruar rolin e tij në vrasjen e 29-vjeçarit. Policia deklaron se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, ndërsa hetimet janë fokusuar dhe tek prishja e pazareve të drogës.

Tre ditë pas vrasjes në Astir të Vilson Tafçiut, autori i dyshuar, shoku i tij Noel Disha, është vetëdorëzuar në policinë e kryeqytetit.

Dorëzimi i tij është kryer pasditen e të enjtes në ambientet e komisariatit, ndërsa para grupit hetimor do të sqarojë pozicionin e tij në vrasjen e 29-vjeçarit.

Nga policia, Disha dyshohet si ekzekutori i Tafçiut, ndërsa ka dyshime se mund të ketë qenë dhe personi që e ka nxjerrë në pritë të riun.

Noel Disha nga Dibra dyshohet se qëlloi të riun me 3 plumba në gjoks mbrëmjen e 20 janarit në Unazën e Re.

Disha dyshohet se e ka ndjekur viktimën dhe ka pasur dijeni për të gjitha lëvizjet e tij, pasi ka qenë pikërisht ai që e ka thirrur nga lokali dhe më pas e ka qëlluar për vdekje.

Sipas policisë ngjarja u regjistrua pas një konflikti të çastit, por po hetohet pista ku dyshohet që të jetë kryer për prishje të pazareve të drogës.

29-vjeçari u shpall në kërkim që pas ngjarjes, ndërsa kërkimet e policisë nuk arritën të zbulojnë vendndodhjen e tij  derisa u vetëdorëzua në komisariat.

Për lokalizimin e tij u pyetën në polici dhe familjarë të tij, të cilët u shprehën se mes Vilson Tafçiut dhe Noel Dishës kishte ndodhur një zënkë që ka prishur miqësinë, por motivin e saj nuk e dinë, ndërsa me 29-vjeçarin nuk janë takuar që një ditë para se të ndodhte vrasja.

Sipas burimeve, Tafçiu dhe Disha, kanë qenë së bashku edhe në Francë, ku dyshohet të kenë lindur konflikte mes tyre për pazare droge.

Pikërisht këtu është fokusuar pista e parë hetimore, në të kaluarën e tij në Francë dhe në Belgjikë, pasi Tafçiu nuk ka pasur precedentë të mëparshëm penalë.

Disha identifikohej edhe me dy emra të tjerë Noel Kolaveri dhe Miklovan Prifti.


EMISIONET