Tiranë, sulmohet me armë banesa e prindërve të gazetares Klodiana Lala, brenda ishin dhe vajzat

Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me kallashnikov banesën e prindërve të gazetares që mbulon lajmet në fushën e drejtësisë dhe aktualitetit, Klodiana Lala.

Sot në mesditë policia informoi shkurt lidhur me sulmin e ndodhur në orët e para të mëngjesin e sotëm (30 gusht) në lagjen "Bruk" në rrugën “Shkëndija” në Tiranë. 

Por pa dhënë shumë detaje. 

"Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç. Nuk ka dëme në njerëz. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve" informoi policia.

Plumbat dhe ne dhomen ku ndodheshin vajzat 

Sipas policisë në momentin e të shtënave me armë, gazetarja Klodiana Lala nuk ndodhej në banesë, por në shtëpi kanë qenë prindërit dhe dy vajzat e saj të mitura. Në muret e banesës shenjat e plumbave janë të dukshme ndërsa kryetari i PD-së në prononcimin për median tha plumbat kishin goditur dhomën ku flinin vajzat e gazetares.

Gazetarja: Sulmi per shkak te punes time

Klodiana Lala është gazetare e kronikës së zëzë në televizionin News 24. Në një reagim në facebook gazetarja thotë se ngjarja e ka tronditur dhe se dyshimet kryesore të saj janë që sulmi  ka ardhur si rezultat i punës së saj si gazetare.  

"Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje. 

Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal."

Gazetarja Klodiana Lala nuk banonet në banesën e prindërve por kalonte pjesën më të madhe të kohës atje, ndërsa prindërit kujdeseshin dhe për vajzat.

Reagon politika

Presidenca informon se presidenti Ilir Meta ka telefonuar gazetares ku shprehu solidaritet të plotë. Gjithashtu Presidenti Meta e inkurajoi të vijojë misionin e saj, pa u trembur dhe shantazhuar nga askush".

Meta inkurajoj organet e sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese, këtë ngjarje të rëndë, e të venë para ligjit këdo që qëndron pas saj.

Edhe kryeministri, Edi Rama "dënoi sulmin e patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala!"

"Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve." shkruajti  Rama ne nje postim ne Twitter.

Lidhjet e Jurgis Çyrbja me Emiljano Shullazin
Ndërkohë në një deklaratë nga selia PD, Basha tha se gazetarja është sulmuar dhe shkak ka qenë publikimi i lidhjeve të ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit. 

 Lulzim Basha: "Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë:se kush del nga rreshti, kush shqetëson qeverinë, kush nuk i bindet sundimit të krimit, e ka fundin e shpejtë. Sulmi me armë ndaj gazetarës Klodiana Lala, e cila së fundmi nxori në dritë lidhjet e ngushta të deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja me bandën e Emiljano Shullazit, janë tregues se krimi ndjehet i paprekshëm!  Dhe kjo është e vërteta e hidhur! Prej 5 vjetësh krimi po triumfon, sepse ai bashkëqeveris me Edi Ramën!

Lexoni: Të gjitha lajmet mbi sulmin ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala


Ne foto: (Banesa e goditur nga plumbat)

EMISIONET