Seksioni për krimin ekonomik në policinë e Tiranës ka vënë në pranga drejtorin e Alfa Bank pasi dyshohet se ka vjedhur 30 mijë dollarë nga llogaria e një klienti. Policia po kryen hetime nëse ka pasur dhe raste të tjera të vjedhjes së klientëve. 

Seksioni për Krimin Ekonomik në drejtorinë e policisë së Tiranës ka vënë në pranga drejtorin e një banke të nivelit të dytë, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, duke përfituar dhe një shumë parash.

Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 35-vjeçari Florant Nako, banues në Tiranë, me funksion drejtor pranë bankës së nivelit të dytë, Alfa Bank.

35-vjeçari ka rënë në pranga pas 4 muajsh hetime që janë kryer nga seksioni i krimit ekonomik.

Nako akuzohet se duke shfrytëzuar postin e tij ka vjedhur në llogarinë rrjedhëse të një klienti, një shumë prej 30 000 dollarësh amerikanë.

Përvetësimi i shumës në monedhë amerikane është kryer nëpërmjet një transaksioni që Nako ka kryer me e-mail duke përdorur të dhënat e klientit të bankës.

Pas këtij transaksioni Nako është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa pas kthimit është mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e policisë.

Ndalimi i drejtorit të bankës është kryer pasditen e të martës në kuadër të operacionit të koduar “Bankieri”.

Dyshohet se drejtori Nako ka ndërhyrë edhe në llogari të tjera, megjithatë policia është duke kryer procedurat e nevojshme për verifikimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të 35-vjeçarit.

Tashmë ky shtetas akuzohet për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën.

/Ora News.tv/