Tirana është vlerësuar sërish nga organizata e kombeve të bashkuara për politikat miqësore me mjedisin, hapësirat e gjelbërta dhe vëmendjen ndaj fëmijëve. Nga punimet e Komitetit të OKB, kryebashkiaku Veliaj nuk la pa përmendur dhe situatën post tërmet, duke premtuar rindërtimin e banesave të dëmtuara.

Tirana është vlerësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytetet që ka bërë më shumë në politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, përmes mbjelljes së pemëve, shtimit të hapësirave të këmbësorët dhe vëmendjen ndaj fëmijëve.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë dje në sesionin e 80 të Komitetit të OKB ku prezantoi Tiranën dhe nismat që e kanë bërë qytetin më të jetueshëm.  

“Ishte vërtet kënaqësi të ishim pjesë e qyteteve themeluese të Forumit të Kryetarëve të Bashkive nga OKB-ja. Një nismë që ne e filluam vjet në Gjenevë, ditën e qyteteve, dhe fakti që Tirana është avangardë kur vjen puna te disa zgjidhje që janë me kosto të ulët, por me përfitim të lartë shoqëror, si mbjellja e pemëve, hapësirat tona pedonale, fokusi te fëmijët, ishte vërtetë një moment për t’u bërë krenar që drejtoj një nga qytetet që sot është bërë shembull”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi faktin se Tirana arriti që në një kohë të shkurtër të përballojë situatën e emergjencës pas tërmetit.

"Sot Tirana është ngritur në këmbë dhe jo vetëm që falenderova vendet anëtare që na ndihmuan në ditët e para me tërmetin, siç ishte Katari, Kuvajti, Italia, Greqia, Turqia gjithashtu, por ishte edhe një mënyrë për të treguar se një qytet si Tirana ngrihet shpejt në këmbë. Fakti që sot pothuajse të gjitha shtëpitë e rrënuara janë adoptuar nga një kompani që ka filluar rindërtimin, falë edhe ndihmës së kryeministrit për të lehtësuar të gjitha procedurat, besoj se Viti i Ri do të na gjejë me shtëpi të reja, totalisht të rimëkëmbur nga tërmeti”, theksoi kryebashkiaku.

 Nisur nga situata pas tërmetit, Veliaj shtoi se është e domosdoshme të merren të gjitha masat për të qenë të përgatitur për çdo lloj emergjence që mund të sjellë natyra. Ai theksoi se Tirana është një qytet që i ka paraprirë nismës së OKB-së për mbjelljen e pemëve, duke i dhënë qytetit më shumë gjelbërim dhe frymëmarrje.

 

/Ora News.tv/