Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaron se nuk do të lejojë krijimin e një “Republika Srpska”

"Kosova tashmë është një fituese morale dhe politike, sepse njerëzit tanë janë të lirë. Ata jetojnë në një shtet të lirë, të njohur nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Por, ne tani duhet të lëvizim me shpejtësi drejt anëtarësimit tonë në BE, NATO dhe në OKB. 

Dialogu me Serbinë, bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi janë kushte thelbësore për ta jetësuar këtë qëllim. Nuk po zhvilloj bisedime me Beogradin për shkak të ndonjë nostalgjie. Nuk vuaj nga Jugonostalgjia siç vuajnë disa. As nuk bisedoj me Beogradin se më pëlqen të shpenzoj kohë në korridoret e Brukselit, duke ngrënë sanduiçe të ftohtë deri në orët e vona të mbrëmjes. Jo – por bisedoj me Vuçiqin dhe jam i etur të gjej një zgjidhje, sepse dua ta shoh Kosovën tonë në NATO dhe BE, sa më parë. Do të jem shumë i sinqertë, nuk mendoj se do të anëtarësohemi në këto mekanizma derisa të mos kemi kufi të pazgjidhur mes dy shteteve. Ne duhet të arrijmë një pajtim të plotë për demarkacionin e kufirit, që të mos lejojmë që disa çështje të hapura të shndërrohen në çështje konflikti në të ardhmen.

Synimi im nuk është ndonjë ndarje etnike, e as krijim i një “Republika Srpska” të dytë në territorin tonë. Zoti na ruajt! Qëllimi im është vendosja e kufirit prej rreth 400 kilometra, e ky proces kërkon zgjidhje kreative, të cilat do të sigurojnë paqen sot dhe në të ardhmen" u shpreh presidenti Thaçi në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”.

Pyetje: Kryetari i Serbisë ka thënë se do të ngulmojë për çështjen e pronës serbe në Kosovë në fazën e radhës së dialogut në Bruksel. Çfarë mendoni për këtë nismë?

Thaçi: Çështja e pronës është e rëndësishme për të gjithë. Për shembull, ekziston një vëllim i madh i dokumenteve për pensionet e Kosovës të cilat Serbia i ka vjedhur më 1999, dhe ekzistojnë më shumë se një milion faqe të dëshmive të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të cilat vërtetojnë se shteti serb, policia dhe ushtria serbe qëllimisht i kanë shkatërruar pronat e qindra mijëra kosovarëve. Besoj se kur ta hapim këtë kapitull Beogradi do të jetë i pari që do të dëshirojë që ta mbyllim të njëjtin kapitull sa më parë. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kërkesave legjitime të njerëzve për drejtësi dhe për pronat e tyre. Kjo është në përputhje me vlerat që duam t’i përqafojmë në BE. Përktheu Kosovapress. 


/Ora News.tv/