Replikat për korrigjimin e kufijve, Haradinaj: Ftesë për tragjedi të reja. Thaçi: Mos krijo panik

Replikat për korrigjimin e kufijve, Haradinaj: Ftesë për tragjedi

Kanë vijuar replikat mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.

Ndërsa Haradinaj përmes një postimi në facebook theksoi se ridizajnimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve "është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan", Thaçi reagoi disa minuta më pas duke nënvizuar se fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion.

Ramush Haradinaj: "Nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s. Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes."  



Hashim Thaçi: Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë. HTH


EMISIONET