Thaçi nuk arrin të bindë Haradinajn për kufinjtë, jo më Vuçiçin e Daçiçin

Thaçi nuk arrin të bindë Haradinajn për kufinjtë, jo

Presidenti Hashim Thaçi po lufton që t’i gjejë një diçiturë bindëse tezës së tij më të fundit: korrigjimit të kufinjve mes Serbinë. Një tezë që e ka vënë përballë thuajse të gjithë spektrit të politikës, mediave dhe një pjese të diplomatëve të huaj. Më së pari, kreu i shtetit kosovar po përballet këto orë me disa deklarata rresht të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte heshtur për disa ditë rresht në lidhje me propozimet e Thaçit.

Në harkun e pak minutave, mes Thaçit e Haradinajt u shkëmbyen deklarata diametralisht të kundërta në lidhje me çeshtjen e kufinjve. I pari vazhdon t’i mëshojë idesë së tij për një rregullim kufitar, kurse i dyti shprehet se kufinjtë e Kosovës janë të pandryshueshme. Qëndrimi i Haradinaj përkon me një shumicë dërrmuese reagimesh të politikanëve kosovarë, përfshirë ministrin e jashtëm të Kosovës, parlamentarë të njohur dhe veprimtarë të spikatur në ambjentin kosovar dhe atë të Shqipërisë fqinje. Thaçi e ka parë praktikisht të vetmuar veten në këtë ofensivë të vogël diplomatike, ndërkohë që nga pala serbe reagimet kanë qenë të pakta dhe të kujdesshme.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare është elementi që intrigon më së shumti në këtë debat të fundit për kufinjtë mes Kosovës e Serbisë. Kufinj për të cilët amerikanët, britanikët dhe europianët kanë zhvilluar një luftë që vijon të mbetet ende e gjallë në kujtesën e popujve ballkanikë. Deklaratat e fundit të departamentit të shtetit apo edhe të bashkimit Europian nuk kanë qenë taksative, në domosdoshmërinë e mosndryshimit të kufinjve, ashtu siç kanë bërë tradicionalisht kur flitej për pretendimet e njërës apo tjetrës palë në rajonin tonë. Nga këto qëndrime deri diku dyanëshe dhe të paqarta, ka marrë hov hipoteza se nisma e presidentit kosovar është diçka më shumë se një “shi vere”. Spekulime të tjera në lidhje me rolin rus, e kanë bërë edhe më enigmatike situatën, megjithëse Moska deklaroi zyrtarisht se është kundër ndryshimit të kufinjve në Ballkan.

Ajo që bie në sy megjithatë në qëndrimin e Hashim Thaçit, është këmbëngulja e tij se nuk bëhet fjalë për një projekt ndërrimi territoresh, por thjesht për një korrigjim të tyre. Nga i cili, sipas Thaçit, do të fitojnë vetëm shqiptarët, duke marrë Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin. Një pretendim disi romantik e pa bazë logjike, nga momenti që pala serbe (dhe asnjë shtet tjetër që ja vlen të quhet i tillë), nuk mund të pajtohet vetëm me dhënien territoreve të saj. Megjithëse Thaçi ngulmon se nuk do të pranojë dhënien e territoreve të Kosovës veriore në shkëmbim, mbetet e vështirë për t’u konceptuar sesi do të arrijë tek Lugina e Preshevës, pa dhënë “asnjë centimetër tokë kosovare”.

Më e fundit, por jo më e parëndësishmja, tagri i presidentit të Kosovës duket gjithsesi i pamjaftueshëm, kur flitet për një operacion kaq delikat, sa ç’është lëvizja e kufinjve, që kryeministri Haradinaj e kujtoi me të drejtë se janë “vendosur me luftra”. Idea e Hashim Thaçit për t’u ulur në takim me Vuçiçin, duke i marrë gjithçka pa dhënë asgjë, tingëllon si një diversiv i hedhur nga presidenti për të tërhequr vëmendjen e publikut, më shumë sesa si një projekt serioz dhe i mirëplanifikuar.

/Javanews/ 

EMISIONET