Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy-ditore në Kosovë. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, pas ngritjes nga Prokurori Special në Hagë të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli. Në daljen e tij për mediat, Thaçi tha se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohen akuzat.

Ora 20:19 - Thaçi: Jap dorëheqjen nëse konfirmohen aktakuzat

Hashim Thaçi: ''Zemra ime është  e lënduar por jo e dhe e thyer. Mendja ime është e rënduar por jo dhe e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njehtësuar me gjakun e luftëtarëve që humbëm në luftë.  Ndihem sot asnjëherë më parë, i çliruar prej brengave dhe peshave të ballafaqimeve politike. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Ora 19:55 - Përfundon takimi Thaçi-Rama

Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe pas këtij takimit nuk ka pasur deklarime për media sikurse edhe nga takimet e tjera që Rama pati sot gjatë ditës me liderët politikë në vend.

Ora 19:08 - Rama mbërrin në presidencë, takon Hashim Thaçin

Pas takimeve maratonike me drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe drejtuesit e partive politike, kryeministri shqiptar, Edi Rama është takuar dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ora 19:47 - Veseli: Takim vëllazëror me kryeministrin Rama

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli e ka pritur sot në takim kryeministrin Edi Rama. Ndonëse nuk pati prononcim për media, Veseli tha përmes rrjeteve sociale se pati takim vëllazëror me Ramën.

Ora 19:19 - Rama fton Hotin për vizitë zyrtare në Tiranë më 3 korrik: Shqipëria gjithmonë pranë Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti priti sot (29 qershor) Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë. Hoti e ka falënderuar Ramën për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës.

Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ka ftuar kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.

Ora 18:47 - Pesë muaj nga vizita e tij në Tiranë si kryeministër, Kurti pret Ramën në Prishtinë

Rama u takua sot (29 qershor) me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin. Takimi është mbajtur në selinë qendrore të LVV-së në Prishtinë, ku i pranishëm ishte dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Kanë kaluar pesë muaj nga takimi i tyre i fundit, kur Kurti bëri vizitën e tij të parë dhe të fundit si kryeministër i Kosovës, në Tiranë ku takoi fillimisht Edi Ramën.

Ora 18:15 - Takimi me Ramën, Limaj: Drejtuesit në Kosovë të tregojnë lidership në interes të vendit

Kreu i Nisës SocialDemokrate Fatmir Limaj tha se me kryeministrin Rama u konstatua se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.




/Ora News.tv/