Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar fuqishëm Korenë e Veriut për provën e tretë bërthamore. Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Kim Sung-hwan - vendi i të cilit kryeson këshillin këtë muaj - ka thënë se prova është “shkelje e rëndë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit”. Duke folur pas takimit urgjent të këtij organi, Kim ka thënë se Këshilli do të shqyrtojë masat e duhura për t’iu përgjigjur provës. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Susan Rice, ka thënë se Uashingtoni dhe aleatët e tij synojnë të zgjerojnë sanksionet ndaj Phenjanit, të cilat janë ndërmarrë pas dy provave të para bërthamore të tij, më 2006 dhe 2009. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore. Më herët, presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka apeluar për aksion të shpejtë dhe të besueshëm të komunitetit ndërkombëtar, në përgjigje të testeve bërthamore të Koresë së Veriut. Koreja e Veriut ka thënë të martën se ka kryer me sukses një provë të tretë bërthamore nëntokësore.

/Ora News.tv/