Tërmeti i të shtunës ka shkaktuar dëme të shumta  edhe në zonën e kryeqytetit, konkretisht pranë Liqenit të Thatë. Dy pallate ngjitur me njëri-tjetrin kanë pasur dëme të shumta, ndërsa banorët janë detyruar të braktisin banesat për tu ndjerë më të sigurt pas situatës së krijuar.

Kjo banesë në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, e blerë para 3 muajsh nga qytetari Ergis Prrenjasi ka pësuar dëme të shumta pas tërmetit të së shtunës.

Dëmet të konsiderueshme prej tërmetit janë shkaktuar në pjesën e brendshme të shtëpisë, ku muret e banesës janë plasaritur, ndërsa orenditë shtëpiake janë rrëzuar dhe dëmtuar pothuajse të gjitha.

Nga tërmeti i fuqishëm, banesa është kthyer në një hyrje të pabanueshme për shkak të dëmeve të shumta që janë shkaktuar.

Pronari i shtëpisë Prenjasi për RTV Ora rrëfen se mbrëmjen e të shtunës ai është detyruar të largohet nga shtëpia për ti paraprirë ndonjë rreziku të mundshëm.

 Ergis Prrenjasi: Frikë është për fëmijët e vegjël të shohësh këtë situatë kështu.

Autoritetet janë vënë në lëvizje menjëherë pas lëkundjeve të forta në Durrës dhe Tiranë, por në zonën e Liqenit të Thatë, inspektorët deri më tani kanë kryer ndonjë vlerësim të dëmit, por vetëm fotografimin e tyre.

Ergis Prrenjasi: Mbrëmë erdhën nga bashkia dhe policia e shtetit që fotografuan por nuk morën ndonjë të dhënë apo emër.

Përveç banesës dëme të shumta janë shkaktuar në hyrjen e pallatit, ku muret janë çarë. Dëme të ngjashme ka pësuar edhe pallati ngjitur, por dëmet kanë qenë më pak.

Megjithatë banorët jashtë kamerave pohojnë se nuk mund të qëndrojnë në banesat e tyre pasi i druhen një përsëritje të mundshme të lëkundjeve.

Ndërkohë po në kryeqytet ballkoni i një pallati pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës, në zonën e "Myslym Shyrit" rrezikon të shembet.

Ka qenë banori i këtij pallati që ka njoftuar policinë duke thënë se banesa e tij rrezikonte shembjen, ndërsa menjëherë policia ka rrethuar perimetrin e sigurisë, duke normalizuar situatën.

/Ora News.tv/