Tërmet me magnitudë 5.9 në kufirin Turqi-Iran, 9 të vdekur dhe 50 të plagosur

Një tërmet me magnitudë 5.9 i shkallës Rihter goditi kufirin e Turqisë me Iranin herët në mëngjes.

Ministri i brendshëm turk Sulejman Soylu njoftoi se 9 persona, vdiqën në fshatrat e rrethit Başkale të Vanit si pasojë e shembjes së ndërtesave.

50 të tjerë mbetën të plagosur, ndërkohë që 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tërmeti ndodhi rreth orës 08.53 dhe epiqendra ishte qyteti Hoy i Iranit. Tërmeti, 5.22 kilometra i thellë, gjithashtu u ndje rëndë në rrethin Yüksekova të Hakkarit, 4.75 kilometra nga epiqendra.

Tërmeti u ndje në provincat kufitare Idır, Kars dhe Ağrı dhe Van, si dhe Hakkari.

Në Iran, askush nuk humbi jetën.

Pas tërmetit 5.9, pati edhe 24 paslëkundje të tjera me madhësi midis 2.3 dhe 3.9.

"Ekipet e shpëtimit u dërguan. Deri më tani nuk kemi raporte për dëme apo viktima në zonë, e cila ndodhet në provincën iraniane të Azerbajxhanit Perëndimor dhe nuk është e banuar, " i tha një zyrtar iranian televizionit shtetëror.

TRT raportoi se ekipet e inspektimit ishin dërguar në zonë për evidentimin e dëmeve.

Tashmë Ministri i Brendshëm turk, Soylu, njoftoi se nuk ka më persona të mbetur nën rrënoja. Ai gjithashtu thotë se ka pasur menjëherë reagim nga qeveria për shpërndarjen e ndihmave ushqimore, veshmbathjeve dhe tentave për të gjithë të prekurit.

Presidenti i vendit, Recep Tayip Erdogan i bën thirrje qytetarëve që të mos futen brenda banesave të dëmtuara dhe të presin ekipet për të bërë verifikimet e nevojshme.

Kishte gjithashtu raporte për shembje të ndërtesave në qytetin turk të Van.



EMISIONET