Boçi akuzon Ramën për hakmarrje meskine, 15 të shoqëruar në Elbasan

Boçi akuzon Ramën për hakmarrje meskine, 15 të

Rreth 15 persona janë shoqëruar në orët e pasdites nga policia e Elbasanit lidhur me tentativën për të bllokuar eskortën e kryeministrit Edi Rama në autostradën Elbasan-Tiranë.

Një fakt të tillë e bëri me dije ish-deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi.

Ai akuzoi kryeministrin Rama për hakmarrje meskine, teksa nënvizoi se shoqërimet kësaj here ishin nga zinxhiri politik i PD-së së Elbasanit.

Boçi: Ne kemi ardhur kryesisht për mbështetjen e qytetarëve që janë ndaluar dhe deklaroj se sa herë Rama të vijë në Elbasan do të gjejë të njëjtën atmosferë, të mos ketë iluzione se ne do të tërhiqemi në kauzën tonë dhe qëllimin tonë. Hakmarrja meskine e Edi Ramës se qytetarët e Elbasanit e brajktisën takimin e tyre dhe kërkuan ndalimin e ardhjes së tij në Elbasan. Këta kërkojnë të burgosin opozitën por opozita nuk mund të burgoset. Veprimi i sotëm tregon se policia është vënë krejtësisht në shërbim të Edi Ramës pasi është ndaluar pjesa e zinxhirit politik të PD-së të qarkut të Elbasanit. Janë 15 të ndaluar, proceduar penalisht për miting gjoja të paligjshëm por qytetarët janë në të drejtën e tyre.

Boçi theksoi se protesta nuk ka qenë e dhunshme nga qytetarët por policia.

Boçi: Protesta nuk ka qenë e dhunshme nga qytetarët, dhuna ishte nga ana e policisë. Policia ka qenë e armatosur deri në dhëmbë, ka qenë e armatosur me armatim të rëndë kallashnikov, pistoleta. Ka provokuar, ka shtyrë, sharë, ka goditur qytetarët vetëm që kryeministri i policisë së vet të kalonte i qetë. Ata e braktisën të gjithë megjithëse administrata ishte marrë me zor me autobusë.Sot kryeministri ka marrë përgjigjen e tij të merituar, nervozizmi vazhdon dhe tregon se ditët e Ramës janë të numëruara.

Mbështetës të PD-së por dhe ish deputetë demokratë dolën paraditen e sotme në autostradën Elbasan-Tiranë për të bllokuar kalimin e eskortës së kryeministrit Rama drejt Elbasanit ku ka planifikuar një sërë takimesh në kuadër të turit "bashkia që duam".

Në ndihmë të forcave të policisë u vendosen dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët në disa raste u përplasën me protestuesit në përpjekje për të mbajtur të lirë rrugën që do të kalonte eskorta e kryeministrit.


EMISIONET