Emisioni 'Tempora' i kësaj të marte solli me fakte dështimin e reformës në drejtësi për shkak të ndërhyrjes së maxhorancës, por Kryeministri Edi Rama nuk mban përgjegjësi.

Për herë të parë me statistika studime dhe fakte tre njohës të mirë të reformës në drejtësi, deputetja socialiste Klotilda Bushka, drejtori ekzekutiv i ISP, Afrim Krasniqi dhe drejtori i INFOCIP, Gerti Shella, dëshmuan dështimin e reformës, që nga vetingu i cili me këto ritme do të kërkojë 15 vite për tu përfunduar, deri tek standardet e vetingut që do të krijojnë kosto të mëdha financiare në Strasburg. Vetingu jo domosdoshmërisht ka mbajtur më të mirët në sistem ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk do mund të ndërtohet brenda disa muajsh.

Ndërsa sot Rama vazhdoi presionin mbi sistemin e drejtësisë duke mbrojtur me çdo kusht vetingun, dhe paralajmëroi një tjetër nismë ndëshkuese.

Edi Rama: "Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vettingun, që e dinë që nuk e kalojnë vettingun dhe që kanë nxjerrë dhe një togfjalësh KÇK- (Kap çfarë të kapësh). Këtë grup ky parlament duhet ta shpallë në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu. Vetingu kërkon disa vjet dhe nuk mund të durojmë që prokuror dhe gjykatës si ato të Durrësit të bëjnë kërdinë".

Sipas tij, shpallja në kërkim e "KÇK-së" është objektivi që duhet të ketë në parlament një orë e më parë.

Rama paralajmëroi shumë shpejt një ligj në Kuvend, përmes të cilit do të vihen para drejtësisë të githë prokurorët dhe gjykatësit e nxjerrë jashtë sistemit nga vettingu.

Në këtë drejtim deklaroi se, "Shumë shpejt do sjellim ligj për këtë punë se nuk ka rrugë tjetër. Shteti nuk mund të jetë as në mbrojtje as në tërheqje dhe as në gjunjë përballë këtyre KÇK dhe atyre që telendisin dynjanë se kanë në krah KÇK. Po flas për një organizatë kriminale me imunitet kushtetues ligjor, prokurorë dhe gjykatësve të korruptuar që e dinë se nuk kalojnë vettingun. Ti kundërvihemi me forcën me të egër KÇK-së dhe mbeturinave që janë rrugëve dhe të presim që KÇK-ja ti çojë pas hekurave. KÇK është grupi më i madh kriminal në Shqipëri. Këtë ndërhyje duhet ta bëjë parlamenti me çdo çmim le të thonë cfarë të duan të gjithë".

Kryeministri u ndal dhe tek arrestimi i Drejtorit të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula të cilin e mbrojti sërish në mbrojtje ndërsa shigjetori prokurorin dhe gjyqtaren e cështjes.

"Për ata që janë rrugëve dhe që jo vetëm nuk u hyn gjë në këmbë por e kanë bërë prokurorinë si kafene, pasi policia i kap dhe prokuroria i nxjerr pas një kafeje të shkurtër janë edhe të përfshirë në procese grabitje, të tokave, të të tjerëve dhe për të marrë tokën e tjetrit, apo për të legalizuar pallate arrinë që të fusë prokurorin dhe gjykatësen që punojnë për ata. Ashtu sikur ai djali (sqarim: drejtori i Kadastrës në Durrës) atje nuk është proces, por viktimë. Edhe ata që sot përballen me 'KÇK' janë njerëz", tha Kryeministri.

Rama shtoi më tej se mund të mbështetet pa kushte reforma në drejtësi por deklaroi prerazi"nuk fusim njerëz në burgje".

"Vetingu pastron, pastaj sistemi që del nga vetingu dënon, ata që kanë dalë jashtë thirren dhe aty pastaj duhet të përballen jo me komisionerin që thotë ti nuk justifikon dot pasurinë tënde por me prokurorin dhe gjykatësin që thotë ku i gjete lekët", deklaroi kreu i qeverisë.

/Ora News.tv/