Teliti: Nga 110 mln euro të premtuara, qeveria ka paguar vetëm 37 mln në ndihmë të ekonomisë

Teliti: Nga 110 mln euro të premtuara, qeveria ka paguar vetëm 37 mln

Për ekonomistin Dorian Teliti, dy paketat që qeveria ka vendosur në dispozicion për të ndihmuar ekonominë shqiptare në këtë situatë pandemie janë të pamjaftueshme.

Në një intervistë për RTV Ora ai shprehet se nga qeveria ka paguar vetëm 37 mln euro nga 110 mln që ka premtuar në ndihmë të bizneseve dhe të individëve.

Kjo ka shkaktuar rritjen e papunësisë.

Teliti: Ndihma ekonomike që ka dhënë qeveria shqiptare nuk është gjithëpërfshirëse. Reflektojnë vetëm një mbështetje minimaliste ndaj individëve dhe bizneseve. Në 7 javë, për të dy paketat sëbashku, qeveria shqiptare ka paguar nga thesari i shtetit për bizneset vetëm 37 mln euro nga 110 që kishte premtuar. Këto janë pasojat që papunësia vijon të rritet dita ditës. Shpërdorimi me fondet publike vijon, se qeveria paska para për të paguar tenderat sekretë dhe konçensione dhe nuk ka për qytetarët e bizneset.

Teliti beson se keqmenaxhimi i këtyre paketave financiare janë paketat më të ulëta në rajon.

Kjo ka shkaktuar që 90 mijë qytetarë shqiptarë të humbasin punën e tyre.

Teliti: Të dy paketat e marra nga qeveria janë të pamjaftueshme. Janë të hartuara me një amatorizëm të frikshëm nga ana e qeverisë shqiptare të cilat në shumën e tyre totale shkojnë në masën e 110 mln euro dhe përbën paketat mbështetëse më të ulëta në rajon. Edhe vendet e rajonit kanë paketa më të plota se ne. Kjo do sjellë që dëmet që do të shkaktojë ekonomia në vendet e tyre do të jenë minimaliste. Kemi njerëz dhe konsumatorë që varfërohen akoma më shumë. Kemi pasur edhe më parë varfëri por tani ajo ndihet edhe më shumë.

Kemi të paktën 90 mijë persona që kanë humbur punën në këtë situatë. Sipas qeverisë shqiptare deri në fund të prillit 61 mijë persona kanë humbur vendin e punës. Kemi dhe punësimin në të zezë ku sipas studimeve në çdo dy persona të punësuar ligjërisht, ke një person të tretë që nuk figuron në tatime por që është në vend pune, atëherë logjikisht kemi 90 mijë persona që kanë humbur vendin e punës. Kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së paketave nga Shqipëria. Kosova ndoqi një politikë agresive në mbështetje të ekonomisë së saj. 

Deri në fund të prillit në Kosovë nuk është humbur asnjë vend pune. Nëse qeveria do të kishte një strategji të qartë probiznes dhe prokonsumator jua siguroj që 90 mijë shqiptar nuk do kishin humbur vendin e punës.

EMISIONET