Të verbërit në protestë, thirrje për rritje të pagesës së aftësisë së kufizuar

Të verbërit në protestë, thirrje për rritje të

Në ditën ndërkombëtare të shkopit të bardhë, personat me aftësi të kufizuar protestuan para Kryeministrisë për të drejtat e tyre. Ata thonë se jetojnë në kushte shumë të vështira dhe se pagesa që marrin nuk i mbulon asnjë shpenzim.

40 vite jetë Marsiona i ka kaluar në terr. Nuk mundet të shikojë për shkak të një problemi shëndetësor që ka kaluar që foshnje.

Nga Gramshi ka ardhur në Tiranë për të kërkuar anulimin e reformës që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë për personat me aftësi të kufizuar.

"Këto reforma nuk duhet të bëhen në kurriz të atyre çfarë janë ngritur deri më sot. Ata po kërkojnë të ulin pagesën e aftësisë së kufizuar, të gjithë kategorive të aftësisë së kufizuar."

Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve protestoi për afro dy orë para Kryeministrisë.

Sipas tyre ndryshimet e propozuara parashikojnë ulje të pagesës për ta, e cila aktualisht shkon në 12 mijë lekë dhe nuk ka njohur rritje prej 10 vitesh.

"Me reformën e re grupi i parë mund të kalojë edhe 80 mijë lekë, edhe 106 mijë lekë. Grupi i dytë mund të kalojë edhe 60 mijë lekë, edhe pa lekë fare, duke thënë që do të marrin shërbime."

"Në radhë të parë luftojmë për dinjitet, të na trajtojnë si të barabartë që edhe ne të integrohemi sa më shpejt në shoqëri."

"Shteti duhet të vijë dhe ti shikojë këta ku jetojnë, në çfarë kushtesh, ti plotësojnë kushtet."

Thonë se nga shumë shërbime janë të privuar dhe jetojnë në kushte të vështira. Qeverisë i bëjnë thirrje për më tepër angazhim.

"Ka shumë të drejta që janë cënuar te personat me aftësi të kufizuar, janë reduktuar pjesa e arsimimit, nuk funksionon pjesa e punësimit, aksesueshmëria në transport dhe gjithë fushat e  jetës."

"Nuk kemi printër Brail, kryetarët e bashkive nuk i njohin printerat e Brailit."

Në protestë kërkuan edhe dorëheqjen e zëvendësministres së Shëndetësisë, Bardhylka Kospiri, për të cilën u shprehen se nuk përfaqëson interesat e tyre.  

Ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të qëndrimit nëse kërkesat nuk marrin zgjidhje.

Në Shqipëri janë rreth 11 mijë persona të verbër.


EMISIONET