"Të vazhdojë dialogu ShBA-Kore e Veriut"

"Të vazhdojë dialogu ShBA-Kore e Veriut"

Tri ekonomitë më të fuqishme aziatike bëjnë thirrje që problemi i armëve atomike të Koresë së Veriut të zgjidhet me mjete politike dhe diplomatike. Deklarata vjen ndërsa Pheniani përgatitet të shpallë politikë më agresive kundër Uashingtonit nëse nuk arrihet një marrëveshje mes palëve.

Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut ranë dakord të martën të punojnë më ngushtë që të çarmatosin gadishullin korean nga armët atomike.

Të mbledhur në Kinë me rastin e një samiti tripalësh, presidenti koreanojugor Mun Xhae-in, kryeministri kinez Li Keçjan dhe homologu japonez Shinzo Abe deklaruan se çështja e Koresë së Veriut kërkon zgjidhje politike dhe komunikim të rregullt, pa përjashtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Kishim një shkëmbim të thellë pikëpamjesh, sidomos për situatën në gadishullin korean. Çarmatosja dhe paqja afatgjatë në Azinë Lindore janë objektivat e të tria palëve, ndërsa dialogu dhe konsultat janë mënyrë më efektive për zgjidhjen e problemit," deklaroi kryeqeveritari i Republikës Popullore të Kinës, Li Keçjan.

Mesazhi erdhi teksa Pheniani i ka lënë ultimatum Uashingtonit deri në fundin e vitit për të lehtësuar sanksioneve dhe për të zgjidhur ngërçin me programin atomik, ose do të përballet me pasojat.

Megjithëse dialogu SHBA-Kore e Veriut dominoi axhendën e takimit, samiti mes tri përfaqësuesve aziatikë adresoi edhe marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik, me synimin për të zhvilluar më tej tregtinë e lirë tripalëshe.

Temat u trajtuan një ditë më parë edhe në bisedat kokë-më-kokë me presidentin kinez, Shi Xhinping.

EMISIONET