Te Paris Saint Germain shënojnë të gjithë sulmuesit. Kampionët në fuqi të Ligue 1 mposhtën 4-1 vendasit e Nice, drejtuar nga Patrick Viera dhe marrin "arratinë" në klasifikim.

Vetëm 15 minuta mjaftuan që argjentinasi të hapte siparin e spektaklit të kryeqytetasve. Një asist nga sulmuesi i ardhur nga Interi gjatë kësaj vere, Mauro Icardi e nxori të vetëm përballë portierit, të cilin e mposhti me një të majtë të saktë.

Pak minuta më vonë, ekzaktësisht në të 21 minutë, Meunier e nxori të lirë ish-lojtarin e Realit të Madridit, që me një parabël të bukur vulosi fitoren e PSG-së.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Ganago ngushtoi distancat. Por vetëm kaq, pasi Cyprien e Herelle u ndëshkuan me karton të kuq, duke i dhënë frymëmarrje PSG-së, që shënoi sërish. Këtë herë ishte Kylian Mbappe ai që dërgoi sferën në fundin e rrjetës.

Një aksion i shpejtë nga e majta e sulmit nuk u largua si duhet nga mbrojtja, e cila u gjend e papërgatitur, me "djaloshin e artë" që goditi për 3-1. Për të plotësuar "pokerin" mendoi një tjetër argjentinas.

Mauro Icardi u shërbye nga Mbappe dhe me portën thuajse të boshatisur tundi rrjetën. Ky ishte goli i tretë radhazi për Icardin, që shpreson të mbajë këtë ritëm për të marrë vendin e sulmuesit tjetër, Edinson Cavani.

Pas kësaj fitoreje, PSG numëron 24 pikë pas 10 javëve të para, ndërsa Nice mban vendin e 9-të me 13 pikë.

/Ora News.tv/