“Të pastrojmë Shqipërinë që duam” fillon më 24 nëntor

“Të pastrojmë Shqipërinë që duam” fillon

Operacioni i Pastrimit të Shqipërisë do të nisë në 24 nëntor dhe do të përfundojë në 24 maj të 2018. Në 6 muajt e punës në në mbarë vendin, operacioni do të jetë i ndarë në disa faza dhe fasha të ndërhyrjes, duke nisur nga aksionet vullnetare në terren, deri tek kontrolli rigoroz i zbatimit të lejeve mjedisore nga subjektet apo sipërmarrjet e vogla dhe të mëdha.

Operacionin 6- mujor “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” e prezantoi ministri i Turizmit dhe i Mjedisit,  Blendi Klosi.

Operacioni do të startojë në datën 24 nëntor, me daljen në terren dhe pastrimin e gjithë territorit të vendit nga rreth 150 mijë vullnetarë. Ky proces, vjen pas krehjes së terrenit nga inspektoriatet mjedisore në të gjithë vendin, duke ndërtuar në këtë mënyrë edhe hartën e parë të plotë me vendgrumbullimet e mbetjeve.

Janë plot 9 mijë vendgrumbullime mbetjesh apo mbeturinash, që janë gjurmuar nga krehja e territorit nga inspektorët që do të jenë targeti i pastrimit nga vullnetarët, studentë, nxënës, ushtria, shoqëri civile dhe gjithë qytetarët që duan t’i bashkohen kësaj nisme.

Këto detaje të operacionit 6 mujor dhe aksioni i datës 24 nëntor u bënë publike nga ministri Klosi në konferencën për shtyp, së bashku me zv.ministrin e Rinisë, z, Shpati Kolgega dhe përfaqësues të shoqërisë civile, z. Xhemal Mato dhe z. Ervin Shehaj.

Klosi: 9 mijë pika mbetjesh në të gjithë Shqipërinë janë targeti jonë në këtë aksion të parë për të vazhduar me aksionet e tjerë në 6 muaj. 9 mijë grumbuj mbeturinash, inerte, papastërti të llojeve të ndryshme, mbetje urbane, mbetje spitalore, shtretër lumenjsh, pika afër qyteteve, pika në zonat turistike, asnjë vend nuk i ka shpëtuar hedhjes së papërgjeshme të mbeturinave në vendin tonë, asnjë sipërfaqe , asnjë zonë e trashëgimisë kulturore dhe turistike. 

Ministri kërkoi angazhimin e të gjithëve në mënyrë që 9 mijë pikat që në hartë dalin me të kuqe, në datën 24 maj pak ditë para fillimit të sezonit të ri turistik të dalin të gjithë jeshile, që të kemi mundësi të promovojmë edhe në Shqipëri dimensionin e luftës kundër papastërtisë.

Duke iu referuar aksionit kreu i Turizmit dhe Mjedisit vuri në qendër të vëmendjes se ashpërsimi i ligjeve, edukimi i të rinjve dhe ngritja e debateve të forta për zgjidhjen e problemeve mjedisore janë pika kyçe të aksionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”.

Nga ana e tij zv/ministri për rininë  u shpreh se të gjitha strukturat arsimore do të përfshihen në këtë aksion kombëtar. “Ministria është e angazhuar plotësisht në këtë nisëm në të gjitha nivelet e hierarkisë së saj, që nga shkollat fillore që nga gjimnazet, universitetet,  të gjitha strukturat përbërëse për të patur këtë vit aksionin më të madh  dhe më të mirë që Shqipëria ka patur në kuadër të pastrimit të mjedisit” – tha z. Shpati Kolgega.

Përfaqësuesi i Green Albania, z. Ervin Shehaj tha se: “Partneriteti shoqëri civile, pushtet qendror dhe pushtet vendor është çelësi për ta zgjidhur këtë situatë sepse mjedisi na bashkon të gjithëve”.  

Më tej Shehaj prezantoi hartën dixhitale të mbetjeve  falë të cilës tashmë ka një pasqyrë shumë të qartë të situatës në vend, madje edhe duke specifikuar llojet e e mbetjeve dhe ndarjen e tyre sipas qarqeve .

Aksionin e përshëndeti dhe mbështeti  edhe ambjentalisti Xhemal  Mato, i cili ndër të tjera tha se  vlera e kësaj nisme qëndron në përçimin e ndërgjegjësimit në të gjithë shoqërinë.

Mato: “Fushata ka një vlerë shumë të madhe jo vetëm emergjente, jo vetëm se ne duhet të presim turistët në verë me mjedise të pastra dhe të shëndetshme të cilat janë shumë të vlefshme sepse kthehen në fund të fundit në ekonomi dhe këtë duhet ta kuptojë si fshati i vogël  turistik ashtu edhe pronari i një hoteli që pastron vetëm zonën e vet. Kjo fushate ka  këtë lloj rrezatimi që bën që Shqipëria të hedhë sytë në këtë drejtim ku papastërtia është një problem jo vetëm i shëndetit, por edhe i ekonomisë”.

EMISIONET