Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo,  ka qenë sot në një tjetër pikë të kryeqytetit, ku po vijon aksioni i pastrimit nga inertet. Në 11 pika të identifikuara si tepër problematike, do të zhvendosen rreth 1000 metër kub inerte. Është një moment sensibilizues për çdo qytetar, për rëndësinë që ka mbajtja pastër e mjedisit ku jetojmë, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të vijojë në ditët në vijim me fushatën sensibilizuese. Bozdo ka falënderuar qytetarët për denoncimet që kanë bërë deri më sot në numrin 0800-0888, i vënë në dispozicion enkas për këtë qëllim. “Muaji nëntor do të vazhdojë të jetë për ne, sipas traditës më të mirë të Bashkisë së Tiranës, muaji i vullnetarizmit dhe i gjelbërimit. Jemi këtu, në vazhdim të aksionit tonë të ndërmarrë disa ditë më parë, për eliminimin e 11 “pikave të nxehta”, të mbushura me inerte në qytetin e Tiranës, të identifikuara praktikisht prej shumë vitesh. Siç shikoni, jemi duke punuar në një nga këto pika. Janë më shumë se 150 metra kub inerte të cilat janë grumbulluar në këtë shesh, pas meje. I gjithë sheshi do të pastrohet, sipërfaqja e gjelbër do u kthehet qytetarëve. Do u kërkoja edhe me një apel civil, që ta ruajnë mjedisin të pastër, siç do e dorëzojmë ne me ndërmarrjen tonë. Po sot, aksioni vijon në rrugën “Babë Rexha”, ku janë edhe 50 metra kub të tjerë për t’u pastruar dhe një sipërfaqe e konsiderueshme e cila do kthehet në sipërfaqe të gjelbër. Në ditët në vijim, po ashtu ne kemi edhe pika të tjera të identifikuara, por ky është një aksion i cili do të vijojë, deri sa të eliminohen të gjitha pikat me mbetje inerte, që ne kemi identifikuar”- u shpreh nënkryetari Bozdo. Ju po i hiqni këto inerte, por ku po i dërgoni? A kemi kapacitete, për të dërguar mbeturina? Patjetër! Ne kemi fushë-depozitimin e Sharrës, ku shkojnë dhe trajtohen sipas procedurës së caktuar. Besoj këtë duhet të bëjnë të gjithë qytetarët, siç e bën Bashkia e Tiranës. Z. Bozdo, përveç inerteve, cilat mbetje janë problematike për momentin në kryeqytet? Do të thosha se ne, me këtë aksion special, po i japim zgjidhje një situate shumëvjeçare, të verifikuar, të grumbullimeve të paligjshme të mbetjeve inerte, çka do të thotë se nuk do të ndalojmë derisa të ta zgjidhim këtë çështje. Për sa i përket mbetjeve të krijuara në mënyrë normale, (mbetjet e qytetit) ju e keni vënë re se niveli i shërbimit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht në vitin e fundit e kjo edhe në sajë të kërkesës më të madhe të llogarisë të Bashkisë së Tiranës, ndaj kontraktorëve të cilët kanë marrë përsipër këtë shërbim dhe do të vazhdojmë të monitorojmë. Do të doja të falënderoja qytetarët të cilët kanë sinjalizuar Bashkinë, në të gjitha ato raste kur është konstatuar diçka që nuk shkon me pastrimin ditor apo në çdo dy ditë, të mbetjeve urbane, të qytetarëve të cilat duhen pastruar dhe çuar atje ku e kanë vendin.

/Ora News.tv/