Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burg të të pandehurve të ashtuquajturës dosja "Babale” për akuzën e kallëzimit të rremë. Për ish- deputetin Ervin Salianji u kërkua 18 muaj burg, për Albert Veliun 3 vite e gjashtë muaj, Fredi Alizotin 3 vite, ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi 1 vit heqje liri.

Prokurorët Genci Qana dhe Kol Hysenaj ishin të të njëjtin mendim për dënimin e ish-deputetit Salianji me 18 muaj heqje lirie, por gjatë leximit të pretencës Qana tha se mund të konvertohet me 3 vite shërbim prove.

Organi akuzës gjithashtu kërkoi dënimin e Alber Veliut me 3 vite e 6 muaj për kallëzim të rremë e kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa për Fredi Alizotin është kërkuar 3 vite burg.

Masë më e ulët dënimi u kërkua për gazetarin Jetmir Olldashi, për dënimin e tij me 1vit heqje lirie, ose të përmbushë një punë në interes publik për një kohë prej 200 orësh.

Në argumentimin e prokurorisë Ervin Salianji, Albert Veliu dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë kryer kallëzim të rremë, regjistrimet e kryera nuk janë origjinale, ndërsa sipas tyre nga ekspertimet nuk arrihet të provohet që zëri në regjistrim është i Agron Geron Xhafaj.

Në përfundim të seancës gjyqësore, ish-deputeti Salianji deklaroi se nuk i druhet dënimit, duke i quajtur akuzat sulme politike dhe se do të kërkojë arrestimin e dy prokurorëve të çështjes.

“Janë sulme tërësisht politike, nuk pati asnjë provë të re. Prokuroria bëhet pjesë në llumin. Asnjë pabesi tradhëti nuk ia del të mposhtin të vërtetën. Sot u bë demaskimi i një prokurorie politike” u shpreh Salianji. 

Çështja “Babale” mbajti për thuajse 1 vit ndezur debatin politik në Shqipëri, duke e polarizuar situatën për shkak të pretendimit për favorizim nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj të vëllait të tij Agron Xhafaj, të dënuar në Itali me 7 vjet e 4 muaj burg.

Pas publikimit të audio-përgjimit, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italianë në burg, ndërkohë prokuroria nisi një hetim sipas opozitës për të shpëtuar trafikantin e drogës dhe për të kërcënuar denoncuesit.



/Ora News.tv/