Të gjithë zyrtarët e LDK-së që u vranë pas luftës në Kosovë

Të gjithë zyrtarët e LDK-së që u vranë pas

Këto ditë veteranët e UÇK-së riaktualizuan çështjen e Gjykatës Speciale duke mbledhur nënshkrime për shfuqizimin e saj në Kuvend. Kjo Gjykatë ka për detyrë të hetojë dhe të gjykojë krimet e supozuara të kryera prej UÇK-së, e po ashtu besohet se subjekt i saj do të jenë edhe vrasjet e pasluftës, të kryera kryesisht ndaj anëtarëve të LDK-së.

Por, këto vrasje nuk po i bëjnë përshtypje dikujt. Madje, me një deklaratë primitive Nasim Haradinajt, anëtar i OVL së UÇK-së, të bërë të mërkurën mbrëma, riktheu në plan të parë diskutimin e vrasjeve të pasluftës.

Nasim Haradinaj tha se nuk është asgjë që Lidhjes Demokratike i janë vrarë anëtarët, dhe se kjo nuk është ndonjë arsye e madhe për ekzistencën e Gjykatës Speciale.

“Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK-së”, tha fjalë për fjalë Haradinaj.

Kur është fjala te vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK-së, apo edhe të FARK-ut një formacion rival i krahut tjetër UÇK-së gjatë fundit të viteve '90.

Të gjitha këto atentate edhe gati dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia. Kishte filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve. Madje, edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë. Vrasja nuk është zbuluar kurrë, për më tepër ajo shpesh është subjekt i polemikave ndërmjet partive politike.

Më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen "Kodra e Diellit". Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.

Përfundimi i luftës nuk ishte fundi i vrasjeve të anëtarëve të partisë së Rugovës. Familjarët e gjithë të të vrarëve, besojnë që ideologjia politike, ishte arsyeja që i mori të afërmit e tyre përmes atentateve të kryera, në shumicë, me sukses.

E të dyshuar, disa prej familjarëve kanë përmendur regjimin e Millosheviqit, por edhe kundërshtarët politikë shqiptarë.

Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë, edhe vrasja e Mustafës hyn në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.

Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitoren e LDK-së në vitin 2000.

Në një atentat në tetorin e 2001-s, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.

Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar. Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.

Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë.

Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.

Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ishte shprehur i bindur se komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha - Drini është vrarë për arsye politike. Ai madje kishte thotë se vrasësit e “Drinit’ “janë në mesin tonë”.

Lista e vrasjeve të pasluftës është më e gjatë se kaq. E, po ashtu, ajo do zgjatej edhe më shumë, në qoftë se nuk do të dështonin disa nga planet për vrasje të tjera, të cilat përfunduan si tentim-vrasje.

Pas luftës pati edhe anëtar që i shpëtuan atentateve, ku hyn edhe Presidenti Rugova.

Ishin provuar të vriteshin, Ismet Arifi, më 3 nëntor 1999; Nezir Gara, i cili pësoi sulm të rëndë fizik, por i shpëtoi vrasjes më 25 shtator 1999; Gani Geci u plagos më 19 tetor 2001.

Vetëm gjatë vitit 2000, u shpëtuan atentateve tre zyrtarë të LDK-së. Ish-deputeti, Adem Salihaj, i shpëtoi atentatit ndaj tij në qershor të vitit 2000. Dy muaj më vonë u provua të vritej kryetari i tanishëm i Podujevës, Agim Veliu, e më vonë edhe Ejup Visoka. /Express/


EMISIONET