Të gjithë në shesh kundër qeverisë italiane

Të gjithë në shesh kundër qeverisë italiane

E majta italiane, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të organizatave antimafia, sindikalistë e punëtorë italianë organizojnë sot në Piazza di Popolo a Roma, një manifestim proteste kundër politikave të marra së fundmi nga qeveria Conte.

Me slloganet "Kundër hajdutëve të së ardhmes" e "Italia nuk ka frikë", manifestuesit do të protestojnë kundër manovrës ekonomike të sapo aprovuar nga ekzekutivi italian i cili parashikon një raport borxh publik/ PPB në koeficient 2.4% , pra shumë herë më të lartë se kufuri 1.6 %  i përcaktuar nga Komisioni europian e që sipas tyre do të sjellë pasoja mjaft të rënda për ekonominë e qytetarët italianë.

"Përballë papërgjegjësisë së qeverisë duhet të ngremë zërin" shprehet kryetari i përkohshëm i Partisë Demokratike Maurizio Martina, i cili thekson se manovra ekonomike e qeverisë Conte që aktualisht ndodhet për shqyrtim nga Presidenti i Republikës, do të coj në rritjen e borxhit publik e do të rëndoj në xhepat e italianëve e në të ardhmen e brezave të rinj.

Protesta ka risjellë në skenën politike dhe ish kryeminsitrin Matteo Renzi i cili ka bërë thirrje për një rezistencë civile kundër qeverisë. Sipas tij manovra ekonomike do të sjellë pasoja shkatërruese për Italinë dhe do të minoj besimin që Italia kishte rifituar me shumë mund në panoramën e tregjeve financiare ndërkombëtare.

Manifestimi i sotëm në Romë pritet të hapet nga Francesco Romeo  kryetari i selisë bashkiake të lagjes Polcevera ku ndodhi dhe shembja e urës Morandi në Genova i cili së bashku me një grup qytetarësh protestojnë kundër dekretit Genova i firmosur vetëm pak orë më parë nga Presidenti i Republikës e i konsideruar nga ata si një dekret bosh që përmban veç fjalë e asgjë konkrete.

Kundër premtimeve boshe të qeverisë protestojnë dhe sindikalistë e punëtorë të cilët kërkojnë përgjigje konkrete të qeverisë ndaj papunësisë, pagave e taksave.

Manovra ekonomike e aprovruar nga qeveria ka sjellë përplasjen e Romës me Brukselin por dhe të Presidentit italian Sergio Mattarella me ekzekutivin Conte. Numri 1 i shtetit italian i cili pritet të firmos o jo gjatë orëve të ardhshme  dekret ligjin e reformës ekonomike, është shprehur se kushtetuta italiane imponon sigurinë e ekuilibrit financiar të vendit, mbrojtjen e të ardhurave e kursimeve të qytetarëve, ruajtjen e burimet e sipërmarrjeve, garantimin e pensioneve dhe të gjitha ndërhyrjet sociale në të mirë të italianëve.

Sipas Presidentit Mattarella Kushtetuta Italiane imponon të ardhura publike të forta e në rregullta për të garantuar sigurinë sociale sidomos për brezat e rinj e të ardhmen e vendit.

Ndaj kësaj deklarate nuk ka munguar replika e menjëhershme e Kryeministrit Giuseppe Conte sipas të cilit "Kushtetuta na drejton principet por qeveria përcakton linjat e politikave për të cilat ka nevojë sot vendi."

EMISIONET