Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora solli ditën e sotme situatën e banorëve 2 ditë pas tërmetit shkatërrues.

Në kampin e improvizuar në stadiumin e Durrësit janë çmontuar çadrat, ndërsa qytetarëve u është njoftuar se do të strehohen nëpër banesa.

Banorja 1: Kam burrin sëmur me laring, me mëlçinë e zezë, dhe do të presim autobusin ne tani. Ai është i ulur ndërsa dy netë që kemi qëndruar këtu nuk kemi marrë asnjë batanije. Na thanë të ikim në Kosovë se do bëhet nami i zi. Unë nga frika do iki.

Gazetarja e "BOOM" shkoi në një nga pikat e grumbullimit të ndihmave ushqimore dhe veshmbathje nga ku ka patur dhe ankesa prej qytetarëve të cilët shprehen se nuk po marrin ndihma.

Banorja 2: Na hoqën nga çadrat dhe na sollën këtu.

Gazetarja: Është dëmtuar banesa juaj?

Banori 3: Janë dëmtuar fëmijët.

Gazetarja: Ka pasur të lënduar?

Banori 3: Shyqyr zotit jo.

Stafi i emisionit "BOOM" është zhvendosur që në orët e para të mëngjesit në Thumanë, aty ku situata është më e rëndë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar, e ndërsa banorët që i kanë mbijetuar tragjedisë janë strehuar nëpër çadra.

Banorja: Shyqyr që kam shpëtuar. Se unë këto dy goca kam dhe dy nipër, djali 26 vjeç më ka vdekur vjet. Burri më ka vdekur para 10 vitesh.

Gazetarja: Ju keni ardhur nga Kosova?

Banori: Para një ore kemi mbërritur, kemi sjellë disa ushqime të freskëta. Tani po presim për një koordinim për t'i shpërndarë. Policia nuk na lenë të afrohemi me makinë afër kampit.

Gjendja në kamp është vërtetë rrënqethëse pasi familjarë të viktimave takohen me të afërmit e tyre, ku nuk mungojnë dhe lot hidhërimi.

Gazetarja e emisionit "BOOM" ka tentuar të hyjë brenda kampit por është përballur me oficerë policie, të cilët nuk e kanë lejuar të hyjnë brenda.

Gazetarja: Kush e ka dhënë këtë urdhër që nuk lejohen gazetarët?

Oficeri: Në nuk na lejohet të fusim njeri brenda.

Duket se forcat e rendit janë urdhëruar që të mos lejojnë askënd të hyjë ndërkohë që nuk pranojnë as të japin shpjegime se përse po ndodh kjo.

Gazetarja: Kush e ka dhënë urdhërin që të mos futem brenda?

Oficerja: Shefi i komisariatit të Krujës që e ka marrë nga lart

Për këtë çështje, gazetarja pyeti zëvendës kryeministrin Erion Braçe i cili bëri një sqarim për vendimin e marrë.

Sipas tij gjithçka është bërë për arsye sigurie nga pikëpamja higjenike.

Erion Braçe: Sepse duhet të kemi parasysh që ka gra shtatëzëna, ka invalidë, ka fëmijë që janë me probleme, autikë. Mbrëmë ka qenë situata shumë e vështirë me ato fëmijë. Duke filluar që nga nënkryetarja e parlamentit që është e atij profili që të asistojë këtë familje me këta fëmijë. Dhe është gjykuar që ne t'i lëmë në privatësinë e tyre ato familje. Po mundohemi të vëmë në kontroll kampin nga ana e higjenës sanitare. Të mos kemi asnjë problem të transmetimit të viruseve dhe sëmundjeve. Edhe një mikrob mund të na e kalojë kampin në një gjendje emergjence. Prandaj e kemi bërë të kontrolluar këtë pjesën e gazetarëve sepse duam të kontrollojmë të gjithë.

Por problemi qëndron pasi brenda kampit lejohen të futen politikanë dhe vullnetarë ndërsa gazetarët nuk munden.

Këta të fundit kanë qënë në krye të detyrës që prej ditës së parë të tragjedisë së tërmetit duke pasqyruar për publikun të gjithë ngjarjen dhe çdo informacion të mundshëm në lidhje me këtë ngjarje.

Emisioni "BOOM" shkoi për të parë më nga afër situatën e banesave në Thumanë. Nga një vëzhgim i një viti më parë, disa ndërtesa kanë qënë në gjendje të tmerrshme, gjysmë të shkatërruara, ndërkohë që 1 vit më pas, kur tërmeti preku vendin tonë këto ndërtesa u shkatërruan plotësisht.

Banorët pohojnë se këto ndërtesa janë konsideruar si të banueshme nga ekspertët e 1 viti më parë.  Gjithashtu ata pohojnë se shumë të tjera janë verifikuar si të pabanueshme ndërkohë që autoritetet, edhe pse 1 vit më pas, nuk kanë bërë ende asgjë për t'i rregulluar.

Gazetari: Kush ka ardhur vjet?

Banorja: Këta të bashkisë vjet në korrik. Por asgjë. Nuk e kanë prishur terezinë të vijnë më.

Gazetari: Janë bërë verifikimet dhe asgjë.

Një prej problematikave më të mëdha qëndron fakti se këto banorë nuk kanë pasur informacion të saktë nga autoritetet përkatëse për ndërtesat.

Pavarësisht se shumë ekspertë, gjatë verifikimeve të pretenduara të një viti më parë i kanë klasifikuar disa ndërtesa si të pabanueshme, nuk u është dhënë një zgjidhje qytetarëve.

Nëse kjo do të ishte bërë më parë, ndoshta nuk do të kishte një numër aq të lartë të viktimave.

Emisioni "BOOM" i bën apel qytetarëve dhe çdokujt që ka mundësi të ndihmojë në mënyra të ndryshme banorët e prekur nga tërmeti.

Mungesa kryesore dhe shumë e rëndësishme që kanë ata është pajisja me medikamente, pasi shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Apeli shkon për të gjithë ata që kanë mundësinë që të ndihmojnë me medikamente të ndryshme si dhe farmacitë që t'i pajisin këta banorët me ilaçet e nevojshme për ta.

/Ora News.tv/