Tatohen bizneset e vogla, regjistrimi në skemën e TVSH-së më 1 prill 2018

Tatohen bizneset e vogla, regjistrimi në skemën e TVSH-së më

Bizneset me qarkullim parash mbi 2 milionë lekë, duhet të regjistrohen në skemën e TVSH-së brenda datës 1 prill të këtij viti. Drejtoria e Tatimeve, ka sqaruar në faqen zyrtare edhe hapat që duhet të ndiqen nga tatimpaguesit. Për këta të fundit, lind detyrimi që brenda 31 marsit të këtij viti të pajisen me faturat specifike të TVSH-së. Po ashtu, tatimpaguesit duhet të bëjnë një inventarizim të mallrave të mbetur stok, të specifikuar në sasi dhe vlerë.

Nga data 1 prill e vitit 2018, të gjithë bizneset të cilët kanë realizuar një qarkullim parash mbi 2 milionë lekë, do të përfshihen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, bëhet e ditur se edhe bizneset me të ardhura deri në këtë shifër, duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së.

Sipas njoftimit, çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH-së brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH.

Po ashtu, për të gjithë tatimpaguesit e regjistruar brenda kësaj date, pra 31 marsit të 2018-ës, duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40 mijë lekë, ose kur blerësit do t'i kërkojnë një të tillë.

Është në detyrën e tatimpaguesve për të bërë të mundur edhe një inventarizim të mallrave të mbetur stok, të specifikuar në sasi dhe vlerë.

Tatimet njoftojnë se ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018.

Malli i përfshirë në listën inventarizuese duhet të justifikohet me një faturë tatimore të blerjes me TVSH, por që të jetë i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH.

Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.

Administrata Tatimore, për t'iu ardhur në ndihmë personave që kanë paqartësi mbi këtë skemë, ka vendosur në dispozicion edhe një numër telefoni, pa pagesë,  si dhe do të organizohen disa seminare specifikë. 

EMISIONET