Talenti i Liverpool "dërgon" Lazion e Igli Taren në FIFA

Talenti i Liverpool "dërgon" Lazion e Igli Taren në FIFA

Igli Tare është një nga drejtorët sportiv më të spikatur në Itali. Puna e ish-sulmuesit të Shqipërisë tek Lazio ka qenë fantastike duke nënshkruan me futbollistë anonimë që më vonë janë kthyer në yje.

I fundi është sulmuesi, Bobby Adekanye, i cili mbërriti nga Liverpool si futbollist i lirë pasi që kontrata e tij me "The Reds" përfundoi këtë verë dhe futbollisti nuk pranoi të nënshkruajë kontratë të re. Por klubi i "Anfield" nuk e ka kapërdirë dot faktin që Lazio i ka "rrëmbyer" një futbollist të prespektivës dhe është ankuar në FIFA, për shkeljen e rregullave ndërkombëtare për transferimet.

Lazio pagoi 242 mijë sterlina për sulmuesin për t’i mbuluar shpenzimet e tij të stërvitjes, pasi e siguroi transferimin e tij. Drejtuesit e Liverpoolit e kanë njoftuar FIFA-n për këtë rast, por ende nuk dihen nëse ata do ta padisin edhe formalisht klubin italian.

Lojtari e pranoi pak kohë më parë që kishte biseduar me Lazion dhe ai që e ka bindur lojtarin të zgjedh bardhekaltërit ishte Igli Tare. Megjithatë klubi italian është i bindur se transferimi është bërë sipas rregullave.  

Por, drejtuesit e Liverpoolit besojnë se Lazio e kishte kontaktuar sulmues 20-vjeçar gjatë kohës sa ai kishte ende kontratë me klubin anglez, për ta bindur të mos nënshkruajë kontratë të re. Sipas rregullave të transferimeve të FIFA-s, klubet nuk kanë të drejtë të flasin me futbollistë nën moshën 23-vjeçare në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tyre.

Gjithsesi, Adekanye pranoi se Lazio e kishte kontaktuar atë kur dha një intervistë  në mars. “Nuk është e vërtetë që unë kam arritur marrëveshje me Lazion. Ata janë ndër klubet e interesuara për mua, por asgjë nuk është 100 për qind e vendosur ende”, deklaroi Adekanye në atë kohë.

Nëse do gjendeshin shkelje në këtë operacion, Lazio rrezikon të dënohet me mbyllje të merkatos për një periudhë kohe,  çka do të thotë edhe dënim për Taren.

EMISIONET